TIRANË- Mbi 200 llogari të rrjeteve sociale u raportuan të mbyllura këtë të enjte, ndërsa për rastin ka reaguar edhe Partia Demokratike Evropiane (EDP), e cila i është drejtuar zyrtarisht gjigantit teknologjik Meta.
EDP-ja i ka dërguar sot një kërkesë zyrtare për sqarim Meta-s, duke kërkuar përgjigje urgjente për pezullimin dhe bllokimin e llogarive të figurave opozitare dhe faqeve që mbulojnë protestat qytetare në Shqipëri. Në reagim, EDP shpreh shqetësimin e thellë për mbylljen e papritur të dhjetëra profileve në Instagram, mes të cilave ndodhet edhe ajo e kreut të Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, si dhe e aktivistëve e kritikëve të tjerë të qeverisë.
EDP-ja ka pyetur gjithashtu nëse Meta ka marrë ndonjë kërkesë ose komunikim në lidhje me llogaritë nga autoritetet publike shqiptare ose aktorët politikë. Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i EDP-së dhe Anëtari i Parlamentit Europian, Sandro Gozi, e ka sjellë çështjen para Komisionit Europian nëpërmjet një pyetjeje parlamentare, duke i kërkuar Komisionit të kërkojë sqarime urgjente nga Meta dhe të shqyrtojë incidentin në kontekstin e procesit të pranimit të Shqipërisë në BE, të drejtave themelore dhe pluralizmit politik.
“Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve të lidhur me të njëjtën lëvizje proteste zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem teknik. Meta duhet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur, dhe duhet ta bëjë këtë shpejt”, tha Sandro Gozi.
“Ne nuk po bëjmë akuza pa prova. Por liria e shprehjes dhe pluralizmi politik nuk mund të varen nga algoritme të errëta ose nga sisteme moderimi që potencialisht mund të manipulohen përmes sulmeve të koordinuara. Platformat dixhitale janë bërë pjesë e hapësirës sonë publike demokratike dhe me këtë fuqi vjen edhe përgjegjësia për të garantuar transparencën dhe mbrojtjet efektive.”
Gozi shtoi: “Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, një vend që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me integrimin ekonomik: do të thotë mbrojtje e demokracisë, sundimit të ligjit dhe e drejtës së qytetarëve dhe forcave opozitare për të folur lirisht. Ne presim që si Meta ashtu edhe Komisioni Evropian ta marrin seriozisht këtë rast.”
EDP ka kërkuar një hetim të menjëhershëm për të zbardhur arsyet e pezullimeve, nëse ato kanë rezultuar nga raportimi masiv i koordinuar apo sisteme të automatizuara të moderimit.
Ky reagim i nivelit evropian vjen në një kohë kur u raportuan të shumta llogarish në rrjetet sociale. Mbi 200 profile të mbyllura u raportuan në Instagram, Mes tyre është edhe profili i kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili ka deklaruar se llogaria e tij është bllokuar pa një paralajmërim paraprak. Edhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku denoncoi mbylljen e një numri të madh profileshm, sipas së cilës bëhet fjalë për llogari të cilat u përkasin aktivistëve, personave të përfshirë në protestë apo profileve që publikojnë materiale rreth saj. Ndërkohë që pas rreth një muaji e mbyllur, faqja zyrtare e ZËRI-t në TikTok është rikthyer dhe është tashmë e aksesueshme. /ZËRI