
TIRANË-Teksa Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po dëshmon në SPAK, Erion Veliaj është filmuar duke dalë me shpejtësi nga zyra e tij. Veliaj është filmuar duke dalë nga Bashkia me një kapuç në kokë dhe me një valixhe në duar, teksa ka hipur në makinën e tij.
Në videon e siguruar nga Oranews, pas largimit të kryetarit, u shfaqën një numër i madh policësh, të cilët në kuadër të masave për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita pasditen e sotme, morën në mbrojtje godinën e Bashkisë së Tiranës.
Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ajola Xoxa është thirrur nga SPAK me kërkesë të prokurorit Ols Dado. Ky i fundit kërkon që të marrë në pyetje Xoxën si person në dijeni në kuadër të një hetimi të nisur nga organi i akuzës.
Thirrja e Xoxës vjen pasi më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK.
Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen e tij për akuzat e ngritura, Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur", por po ashtu paralajëmroi ankimimin që u bë sot në Gjykatë nga familjarët e tij./ZËRI