Aktualitet

Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Ajola Xoxa është thirrur nga SPAK me kërkesë të prokurorit Ols Dado.

k.m.
Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj paraqitet në SPAK
Ajola Xoxa

TIRANË- Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur pasditen e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Xoxa është thirrur nga SPAK me kërkesë të prokurorit Ols Dado. Ky i fundit kërkon që të marrë në pyetje Xoxën si person në dijeni në kuadër të një hetimi të nisur nga organi i akuzës.

Thirrja e Xoxës vjen pasi më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK.

Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen e tij për akuzat e ngritura, Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur", por po ashtu paralajëmroi ankimimin që u bë sot në Gjykatë nga familjarët e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB