Aktualitet

Grabitja në Paskuqan/ Morën 1.5 mln lekë flori, autorët "studiuan” argjendarinë, njëri "klient" një ditë më parë

Dyshohet se ata kanë lëvizur përmes rrugicave periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore. Pikërisht itinerari i ndjekur ka ngritur dyshimet e grupit hetimor se autorët e njohin mirë zonën.

zh.ll
Grabitja në Paskuqan/ Morën 1.5 mln lekë flori, autorët
argjendari ne paskuqan

TIRANË- Një ditë pas grabitjes së argjendarisë “Luani” në Paskuqan, dalin në dritë detaje të reja lidhur me lëvizjet e autorëve, të cilët vijojnë të jenë të paidentifikuar.

Burime pranë Komisariatit nr.5 bëjnë me dije se autorët e maskuar kanë ndjekur të njëjtin itinerar si në momentin kur kanë shkuar drejt argjendarisë, ashtu edhe pas grabitjes. Dyshohet se ata kanë lëvizur përmes rrugicave periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore. Pikërisht itinerari i ndjekur ka ngritur dyshimet e grupit hetimor se autorët e njohin mirë zonën.

Gjatë grabitjes, autorët kanë marrë vetëm sende floriri, me një vlerë që, sipas burimeve pranë hetimit, kapin vlerën deri në 1.5 milionë lekët. Siç bëri me dije edhe policia në njoftimin zyrtar, autorët kanë kanosur punonjëset me një send në dukje armë zjarri dhe kanë marrë bizhuteritë.

Një nga pistat që po hetohet është nëse autorët kishin dijeni të mëparshme për vendndodhjen e bizhuterive me vlerë. Dyshohet se njëri prej tyre mund të ketë shkuar në argjendari si klient një ditë para grabitjes, për të vëzhguar ambientin dhe sendet me vlerë.

Megjithatë, nuk përjashtohet as mundësia që dy autorët të kenë pasur bashkëpunëtorë të tjerë. 

Mësohet se grupi hetimor ka sekuestruar disa sende që dyshohet se u përkasin autorëve dhe që pritet t’i shërbejnë hetimit për identifikimin dhe kapjen e tyre. Ndërkohë, forcat e Policisë po zhvillojnë kontrolle në zonat e Zall Herrit dhe Kasallës, ku dyshohet se mund të fshihen dy autorët e ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB