
ITALI-Autopsia e trupit të biznesmenit shqiptar Artan Kaja, i cili u gjet i vdekur më 7 janar në fabrikën Smurfit në Lunata, Itali, ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen. Rezultoi se Kaja ishte qëlluar me pushkë pas koke, në një distancë të afërt, dhe jo me pistolete si ishte menduar më parë. Plaga ndodhej pas veshit të djathtë të viktimës. 52-vjeçari njihej nga të gjithë si "Tony", pronar i një kompanie të vogël.
Autori i krimit është bashkatdhetari dhe ish-miku i viktimës, Marian Pepa, 50 vjeç. Hetuesit po punojnë ende për të gjetur celularin, i cili mund të jetë çelësi për zbardhjen e mistereve që lidhen me vdekjen e biznesmenit. Marjan Pepa ka pranuar krimin.
“E bëra, nuk më intereson sa është dënimi, dua të paguaj”,-u shpreh ai pas vetëdorëzimit në Polici.
Autori ka treguar për autoritetet italiane se ishte ngjitur mbi një mur të ulët që rrethonte kompaninë dhe kishte pritur Artanin në një zonë të errët dhe të shkretë të fabrikës së letrës ku nuk kishte kamera sigurie. Kur e pa që erdhi 50-vjeçari thotë se tërhoqi këmbëzën.
Lidhja mes autorit dhe viktimës
Fillimisht ishte Artan Kaja, i cili e mbajti në shtëpinë e tij, Marjan Pepën. Ndërsa ky i fundit, pasi 'kishte marrë' veten, e kishte ndihmuar të gjente një punë si shofer kamioni. Me kalimin e kohës, marrëdhëniet u ftohën. Pepa ndjeu zili për shokun e tij që tashëm ishte bërë një sipërmarrës i vogël dhe kishte një rol të rëndësishëm në komunitet dhe një familje të bukur. Verën e shkuar, kishte komentuar edhe bashkëshorten e viktimës. Të gjitha këto krisje kishin shkaktuar edhe një përplasje. Disa muaj më vonë, Pepa u pushua nga kompania ku punonte si shofer kamioni dhe pa punë ai akuzonte shokun për gjendjen. Një pakënaqësi që prej kohësh ishte mbushur aq shumë sa ai të kërkonte hakmarrjen./ZËRI