Aktualitet

E futi në shtëpi e i dha punë, por shoku xheloz e vrau! Pse u ekzekutua sipërmarrësi shqiptar në Itali

Përballë gjyqtares së hetimeve paraprake Simone Silvestri, 52-vjeçari Marjan Pepa ndodhet në burg për akuzën e vrasjes me paramendim ndaj ish-shokut të tij, Artan Kaja.

k.m.
E futi në shtëpi e i dha punë, por shoku xheloz e vrau! Pse u
Artan Kaja

ITALI- Marjan Pepa preferon që të qëndrojë në burg ku ndihet i sigurtë dhe i mbrojtur, edhe pse vazhdon të përsërisë se është ai “shkaku i vdekjes së Artanit”. Madje shprehet i bindur se është i gatshëm që të paguajë për gabimet e tij. Përballë gjyqtares së hetimeve paraprake Simone Silvestri, 52-vjeçari Marjan Pepa ndodhet në burg për akuzën e vrasjes me paramendim ndaj ish-shokut të tij, Artan Kaja. Viktima njihej nga të gjithë si "Tony", pronar i një kompanie të vogël.

Por edhe pse e di atë që ka bërë, Pepa nuk e përballon dot që të merret në pyetje. Sipas mediave italiane, shqiptari thotë se është konfuz. Megjithatë, i akuzuari nuk kërkon asnjë masë alternative për të vuajtur dënimin veç burgut. Brenda strukturës së vuajtjes së dënimit, ai ndiqet nga një psikiatër.

Hetimet e karabinierëve

Për momentin nuk është gjetur arma e përdorur për të vrarë "Tonin". Karabinierët kërkuan në zonën ku ndodhi ngjarja, por më kot. Në këtë pikë nuk mund të përjashtohet që arma të ketë përdunduar tek persona të tretë që kanë dijeni për atentatin. Sa i përket shkakut të përplasjes, hetuesit janë fokusuar tek marrëdhëniet ndërpersonale mes dy bashkatdhetarëve. Dy shqiptarët ishin miq.

Fillimisht ishte Artan Kaja, i cili e mbajti në shtëpinë e tij, Marjan Pepën. Ndërsa ky i fundit, pasi 'kishte marrë' veten, e kishte ndihmuar të gjente një punë si shofer kamioni. Me kalimin e kohës, marrëdhëniet u ftohën. Pepa ndjeu zili për shokun e tij që tashëm ishte bërë një sipërmarrës i vogël dhe kishte një rol të rëndësishëm në komunitet dhe një familje të bukur. Verën e shkuar, kishte komentuar edhe bashkëshorten e viktimës. Të gjitha këto krisje kishin shkaktuar edhe një përplasje. Disa muaj më vonë, Pepa u pushua nga kompania ku punonte si shofer kamioni dhe pa punë ai akuzonte shokun për gjendjen. Një pakënaqësi që prej kohësh ishte mbushur aq shumë sa ai të kërkonte hakmarrjen.

Të mërkurën pritet që të zhvillohet autopsia ndaj trupit të pajetë. Ajo do të përcaktojë më qartë dinamikën e ngjarjes. Deri më tani nuk është përcaktuar ende nëse vrasësi e qëlloi përballë apo nga pas. Një detaj ndoshta i parëndësishëm pasi një jetë u shua, por që përcakton brutalitetin e ngjarjes, të ngjashëm me atë të larjes së hesapeve në një kontekst kriminal, shkruajnë mediat italiane./ZËRI

Poll

MOS HUMB