
TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka rrëfyer një ngjarje që i ka ndodhur Jurgis Çybjas, gjatë kohës që drejtonte hipotekën e Durrësit. I ftuar në ‘Kjo javë”, Hoxha tha se një grup i fuqishëm nga Tirana i kanë shkuar Çyrbjas te banesa e tij në Shijak. Por, gazetari nuk dha emra apo detaje të tjera lidhur me këtë çështje.
“Një grup nga më të fuqishmit në Tiranë i kanë shkuar Çyrbjas te banesa e tij në Shijak kur ishte drejtor i hipotekës. Ishin 4 makina të blinduara dhe e kanë thirrur poshtë shtëpisë,” tregoi Hoxha.
Çyrbja hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe SPAK e ka marrë të pandehur për shpërdorim detyre. Kallëzimi për Çyrbjan ishte bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka gjatë kohës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kohë kur Çyrbja drejtonte hipotekën e Durrësit. Në atë kohë, si drejtues politik i qarkut të Durrësit, Paloka e akuzoi se kishte firmosur brenda të njëjtës ditë dy praktika për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke sjellë mbivendosje të pronës.