
MILANO- Gjykata e Milanos prej disa ditësh po zhvillon një gjyq që ka të bëjë me një grup kriminal të fuqishëm të narkotrafikut në Milano, e goditur vitin e kaluar, me të paktën 13 persona të arrestuar. Banda drejtohej nga një mafioz turk i quajtur Baris Boyun, i cili u arrestua bashkë me krahun e tij të djathtë, 27-vjeçarin shqiptar, Artiol Shabani. 27-vjeçari ka pranuar akuzat dhe është dënuar me 5 vite burg për armë dhe trafik droge në bashkëpunim. Ndërsa, si krahu i majtë i Boyun akuzohet një italian 32-vjeçar, i quajtur Giorgio Meschini, nga Viterbo.

Seanca gjyqësore ndaj bashkëpunëtorëve të dyshuar të bosit të mafias turke Baris Boyun u shty për në muajin prill për pjesën më të madhe të tyre, pasi disa kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Meschini, ndodhet në burg që prej datës 22 maj. Ai është i vetmi italian i arrestuar në bastisjen që çoi në kapjen e bosit turk. Boyun, një 41-vjeçar kurd etnik, ka qenë prej kohësh në shënjestër të Turqisë, e cila po kërkon ekstradimin e tij. Sipas prokurorisë, ai krijoi një bandë kriminale në Itali të përbërë nga bashkatdhetarë të ardhur konkretisht në vend, me mbështetjen e Shabanit
“13 persona kërkuan dënime alternative. I vetmi person që ka pranuar fajësisë ishte Artiol Shabani, për grup kriminal, armbëmbajtje pa leje dhe trafik droge. 27-vjeçari shqiptar, i ndihmuar nga avokati Samuele De Santis, u deklarua fajtor dhe u dënua me 4 vjet e 7 muaj burg. Ai mori një të tretën e uljes së dënimit”, raportojnë mediat italiane.
Shabani, i cili besohet se është bashkëpunëtor i Boyun, nuk ka vendbanim në Itali, është arrestuar në Vetralla së bashku me një 23-vjeçar tjetër turk. Kontrolli i automjetit ‘Jeep Cherokee’, me licencë zvicerane, me të cilin ata udhëtonin, çoi në sekuestrimin e një pistolete të kalibrit 9x19 mm, tre karikatorë, dhjetë fishekë dhe 24.5 gramë kokainë të ndarë në doza gati për shitje./ZËRI