TIRANË-Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli ka reaguar sërish pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për nisjen e procedurës për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Biznesmeni shprehet se MABCO Constructions SA është njoftuar lidhur me vendimin përmes shkresës zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pacolli shkruan se ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata dhe bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Shqipërisë për Mbrojtjen e Investimeve. Sipas tij në shkresën zyrtare nga Ministria jepen pretendime që nuk përputhen me faktet, me dokumentacionin dhe me realitetin e projektit. Biznesmeni thekson sërish se do e çojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar dhe procesi do të nxjerrë në dritë të vërtetën.
REAGIMI I PLOTË:
Sot MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në thelb, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri.
Fatkeqësisht, kjo nuk është më një surprizë. Shumë njerëz e kishin kuptuar që në gusht të vitit 2025 drejtimin që po merrte kjo çështje. Unë, megjithatë, i udhëhequr nga besimi, shpresa dhe respekti për Shqipërinë, refuzova ta besoja se institucionet shtetërore do të lejonin degradimin e shtetit të së drejtës deri në këtë pikë. Për më shumë se një vit, zgjodhëm dialogun dhe rrugën institucionale, duke bërë çdo përpjekje për të shmangur një konflikt ndërkombëtar.
Gjatë kësaj kohe u përballëm me ngjarje që në një shtet ligjor nuk do të duhej të ndodhnin kurrë: tentativa për tjetërsimin e kuotave të investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin e paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit dhe, në fund, bllokimin fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit, ndërsa institucionet shtetërore jo vetëm që nuk ndërhynë për të rivendosur ligjshmërinë, por në praktikë toleruan vazhdimin e kësaj situate.
Pikërisht në kohën kur projekti kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe ndodhej vetëm pak para certifikimit, investitori u pengua të përmbushte detyrimet e tij kontraktore. Sot, paradoksalisht, po përdoren si argument kundër MABCO-s pikërisht pasojat e pengesave që u krijuan ose u toleruan nga vetë institucionet shtetërore.
Ky veprim bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Shqipërisë për Mbrojtjen e Investimeve, si dhe me një nga parimet më themelore të së drejtës: askush nuk mund të krijojë vetë pengesën dhe më pas të përfitojë juridikisht prej saj.
Edhe shkresa e Ministrisë, për fat të keq, përmban pretendime që nuk përputhen me faktet, me dokumentacionin dhe me realitetin e projektit. Ajo mbështetet në konkluzione që, sipas vlerësimit tonë, nuk kanë bazë faktike dhe juridike.
Dua të kujtoj edhe një fakt me rëndësi thelbësore. Që nga gushti i vitit 2025 kemi kërkuar zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të autorizojë një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për çdo euro të investuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pavarësisht se nga kush është investuar. Kjo kërkesë është refuzuar ose injoruar vazhdimisht.
Po kështu, kallëzimet penale të paraqitura për veprime të dyshuara të kundërligjshme nuk kanë marrë ende një trajtim efektiv nga organet kompetente. Kjo situatë ka cenuar rëndë sigurinë juridike dhe besimin e investitorëve në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve. Megjithatë, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare.
Në arbitrazhin që po bëhet i pashmangshëm, MABCO do të paraqesë të gjitha faktet, provat dhe dokumentacionin që disponon. Nuk kam dyshim se ky proces do të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Ky nuk është një konflikt që MABCO e ka kërkuar.
Është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të atyre institucioneve që kishin detyrimin ligjor të mbronin shtetin e së drejtës, kontratën dhe investimin.
Punimet për aeroportin duhej të përfundonin në shkurt 2026, ndërsa kontrata parashikonte edhe 90 ditë shtesë, por aeroporti nuk u përfundua brenda afatit. Shkak për vonesat u bënë mosmarrëveshjet mes kompanive koncesionare “MABCO” dhe “2A Group”.
Më 3 qershor, ministri Enea Karakaçi u kishte dhënë palëve 30 ditë kohë për zgjidhjen e konfliktit, por mosmarrëveshjet u thelluan. Përplasjet mes dy kompanive koncesionare janë shoqëruar edhe me incidente në kantier. Në disa raste, përfaqësuesit dhe punonjësit e dy kompanive janë përplasur mes tyre, duke krijuar situata tensioni dhe duke penguar vijimin normal të punimeve.
Ndërkohë, mësohet se kompanive u janë vendosur edhe gjoba për vonesat. Fati i mëtejshëm i Aeroportit të Vlorës do të përcaktohet pas përfundimit të procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare./ZËRI
