
DURRËS- Nesër, në orën 07.00 të mëngjesit, anija "Moliva" do të lejohet që të ankorohet në portin e Durrësit. Mjeti lundrues është e ngarkuar me 2100 ton mbetje toksike. Tashmë, pas më shumë se 10 ditësh, Prokuroria e Durrësit ka urdhëruar zbarkimin dhe mbajtjen e 102 kontejnerëve në një vend të sigurt, por me disa kushte. Kërkohet që konteinerët me mbetje të mbahen larg nga zonat e banuara, të ruajtura mirë dhe me kushte sigurie fizike dhe shëndetësore.
Paralelisht do kryhen paralelisht hetime dhe analiza, kjo për të verifikuar dhe rrezikshmërinë që këto mbetje mbartin për qytetarët dhe mjedisin.
Sinjalizimi i anijeve me mbetje industriale
Sipas dokumenteve zyrtare të shqyrtuara nga AFP, kontejnerët ishin mbushur me materiale mbeturinash që ishin vendosur për t'u përpunuar dhe shkatërruar larg brigjeve të Evropës.Materiali i depozituar në 102 kontejnerët e kishte origjinën nga uzina e çelikut Kurum International në pronësi turke në Elbasan, Shqipëri. Mbetjet u blenë fillimisht nga kompania shqiptare Sokolaj, e cila më pas ia shiti materialin filialit të saj në Kroaci, GS Minerals, me ngarkesën që do të shkarkohej në Tajlandë për përpunim.
Sipas dokumenteve të parë nga AFP, Sokolaj i etiketoi mbetjet si "oksid hekuri" një substancë që nuk është e ndaluar për dërgesë ose që konsiderohet e rrezikshme. Një analizë e substancës në kontejnerë u krye nga një laborator kroat me bazë në Zagreb, sipas Sokolajt. Kur u kontaktua nga AFP, laboratori refuzoi të komentonte, duke thënë se "informacioni mund t'u jepet vetëm klientëve". Vetë Sokolaj nuk i është përgjigjur pyetjeve se çfarë ka në kontejnerë. Kompania dhe filiali i saj kroat refuzuan të dyja kërkesat e AFP për koment.
Një sinjalizues kishte telefonuar rrjetin e Bazelit për të raportuar se kontejnerët mbanin jo vetëm oksid hekuri, por edhe mbetje toksike.
BAN (Rrjeti i Veprimit të Baselit) i kërkoi Maersk që të ndalonte anijet kur ato ishin pranë bregut të Afrikës së Jugut. Anijet nuk u përgjigjën dhe fikën transponderët e tyre ndërsa lundronin për në Singapor, sipas BAN. BAN më pas njoftoi autoritetet tajlandeze, të cilët refuzuan të lejonin hyrjen e kontejnerëve. Në fund të gushtit, 102 kontejnerët në bordin e dy anijeve u nisën për në Evropë dhe mbërritën në Shqipëri në fund të shtatorit, më ekzaktësisht më datë 28.
Që nga dhënia e alarmit, në Shqipëri, prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin në bashkëpunim me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe partnerët ndërkombëtarë. Tani Prokuroria e Durrësit, po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga "Kurum-i" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët./ZËRI