
TIRANË- Alban Bengasit, avokatit që kishte porositur vrasjen e gruas së tij, i është rritur dënimi nga Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Vendimi është marrë gjatë seancës së mbajtur sot, kur GJKKO vendosi të dënonte Bengasin me shtatë vite burg. Fillimisht Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organiozuar dënoi avoaktin me dy vite burg dhe në korrik të këtij viti, ai la qelinë pasi e kishte mbaruar dënimin e tij.
Por, me shtimin e dënimit, Bengasi do të rikthehet në qeli për të vuajtur edhe pesë vite të tjera dënim me burg.
Emri i Alban Bengasit doli në pah nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili tha se avokati i ka kërkuar që të vrasë ish-bashkëshorten e tij në këmbim të 120 mijë eurove.
Po ashtu, ai deklaroi para hetuesve se avokati më herët ka paguar disa persona për të dhunuar ish-bashkëshorten, akuza që janë mohuar vazhdimisht nga Alban Bengasi.
I pandehuri Nuredin Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.
Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.