Aktualitet

Burgu për jetë! Aldo Bare vijon ‘betejën’, i drejtohet Kushtetueses, kundërshton vendimet e gjykatave

Kërkesa e re vjen ndërsa Bare vijon të vuajë dënimin në burg, pas ekstradimit nga Turqia drejt Shqipërisë.

M.K.
Burgu për jetë! Aldo Bare vijon ‘betejën’, i
aldo bare

TIRANË- Aldo Bare rikthehet në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar për herë të dytë shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me dënimin e tij. Kërkesa është regjistruar më 11 shtator 2026, ndërsa relator i çështjes është Gent Ibrahimi.

Sipas vendimit të siguruar nga WebLajm, Bare kërkon shfuqizimin, si antikushtetuese, të tre vendimeve të dhëna ndaj tij vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të 31 korrikut 2024, vendimit të Apelit të Posaçëm të 27 dhjetorit 2024 dhe vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të 10 shkurtit 2026.

Kërkesa e re vjen ndërsa Bare vijon të vuajë dënimin në burg, pas ekstradimit nga Turqia drejt Shqipërisë. Ai i është drejtuar më parë Gjykatës Kushtetuese edhe në vitin 2017, ndërsa tashmë kërkon që gjykata më e lartë kushtetuese të shqyrtojë pretendimet e tij për shkelje të Kushtetutës.

Vendimi i Kolegjit Penal nga Gjykata e Lartë

    REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

KOLEGJI PENAL

Nr. 71012-00105-00-2025 Regj. Themeltar

Nr. 00-2026-151 i Vendimit

VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët:

Ilir PANDA                Kryesues

Sokol BINAJ              Anëtar

Sandër SIMONI        Anëtar

Sot, më datë 10.02.2026, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi, çështjen penale me nr. 71012-00105-00-2025 akti, që i përket:

KËRKUES:                                       Aldo (Alfred) Bare (Shkurti).

OBJEKTI:                                          Rishikimi i vendimit penal Nr. 17, datë 28.03.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

BAZA LIGJORE:                              Kushtetuta e RSH; Konventa Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut; Kodi i Procedurës Penale. 

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Sokol Binaj dhe diskutoi në dhomë këshillimi çështjen në tërësi,

VËREN:
Rrethanat e çështjes.
1. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin Nr.17, datë 28.03.2011 ka vendosur ndër të tjera: “- Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë përsonave” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 79/dh-22-25 të K.Penal, kundër shtetasve Genci Kashari e Artur Daja dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 23 (njëzet e tre vjet) vjet burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasja me paramendim” e parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të K.Penal, të shtetasit Xhevat Demiri, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i K.Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me burgim të përjetshëm. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti), për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të K.Penal, të shtetasit Nimet Zeneli, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i K.Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 vjet burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2-22 i K.Penal, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të K.Penal, të shtetasit Gramoz Selmani, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i K.Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 vjet burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2-22 i K.Penal, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të K.Penal, të shtetasit Masar Aliu, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i K.Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 vjet burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e parashikuar nga neni 78/2 i K.Penal, si dhe në aplikim të nenit 3/3 të K.Penal, të shtetasit Masar Aliu, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale, të parashikuar nga neni 334, paragrafi i dytë i K.Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 25 vjet burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2 i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 5(pesë) vite burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Shkatërrim i pronës me zjarr ” të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu, e parashikuar nga neni 151/2 i K.Penal si dhe në aplikim të nenit 3/3 të K.Penal, si vepër penale të kryer në kuadër të organizatës kriminale, parashikuar nga neni 334 paragrafi i dytë i K.Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 10 (dhjetë) vite burgim. – Deklarimin fajtor të të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti) për kryerjen e veprës penale të “Krijim i organizatës kriminale”, parashikuar nga neni 333 i K.Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 8(tetë) vite burgim. – Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, Gjykata në përfundim i jep dënimin e vetëm “burgim të përjetshëm” të pandehurit Aldo Bare (i quajtur ndryshe Alfred Shkurti).”

2. Kundër këtij vendimi ka ushtruar ankim i pandehuri si dhe Prokuroria për Krime të Rënda. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me anë të vendimit Nr.54, datë 03.10.2011, ka vendosur: “Prishjen e vendimit Nr.17, datë 28.03.2011, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.”

3. Kundër vendimit të apelit ka ushtruar rekurs i pandehuri si dhe Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda. Gjykata e Lartë me vendimin Nr.00-2012-415 (24), datë 25.01.2012, ka vendosur: “Prishjen e vendimit Nr.54, datë 03.10.2011, të Gjykatës së Apelit për Krime e Rënda Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me një tjetër trup gjykues.”

4. Pas rishqyrtimit të çështjes, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda me vendimin Nr.49, datë 16.07.2012 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit penal Nr. 17, datë 28.03.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.”

5. Kundër këtij vendimi është ushtruar rekurs dhe Gjykata e Lartë me vendimin Nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015 ka vendosur: “Mospranimin e rekursit të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe rekursit të paraqitur nga i gjykuari Aldo Bare (Alfred Shkurti) kundër vendimit Nr.49, datë 16.07.2012 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë.”

6. Gjykata Kushtetuese me vendimin Nr.27, datë 27.03.2017 ka vendosur: “Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e RSH të vendimit Nr.00- 2015-2087, datë 02.07.2015 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë.”

7. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pas rishqyrtimit të çështjes me anë të vendimit Nr. 00-2022-1738 (358), datë 22.12.2022 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit Nr.49, datë 16.07.2012, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.”

8. Gjithashtu, rezulton se për vrasjen e shtetasit Xhevat Demiri janë akuzuar dhe gjykuar edhe shtetasit Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha.  Konstatohet se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me anë të vendimit Nr.51, datë 20.09.2011 ka vendosur ndër të tjera: “2. Lënien në fuqi të vendimit për të pandehurin Arben Boriçi me këtë ndryshim: prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale për akuzën e vrasjes së shtetasit Xhevat Demiri; në zbatim të nenit 55 të K.Penal i pandehuri Arben Boriçi dënohet përfundimisht me “burgim të përjetshëm”; 3. Lënien në fuqi të vendimit për të pandehurin Ilir Stergu me këtë ndryshim: prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale për akuzën e vrasjes së shtetasit Xhevat Demiri; në zbatim të nenit 55 të K.Penal i pandehuri Ilir Stergu dënohet përfundimisht me “burgim të përjetshëm”; 4. Lënien në fuqi të vendimit për të pandehurin Afrim Hoxha me këtë ndryshim: prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale për akuzën e vrasjes së shtetasit Xhevat Demiri dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”; urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Afrim Hoxha nga dhomat e paraburgimit nëse ndaj tij nuk ka vendim tjetër penal me burgim ose masë sigurimi “arresti në burg”.

9. Në vijim shtetasi Aldo Bare alias Alfred Shkurti i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë me objekt: “Rishikimi i vendimit penal Nr. 17, datë 28.03.2011, i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.”

10. Pala kërkuese Aldo Bare alias Alfred Shkurti, përmes kërkesës së paraqitur, ka pretenduar se vendimi penal Nr.17, datë 28.03.2011, i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda duhet të rishikohet për një sërë shkaqesh ligjore të mbështetura në nenin 450/1/a/c/ç të Kodit të Procedurës Penale (në vijim KPP). Konkretisht kjo palë ka pretenduar se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, përmes Vendimit Nr. 51, datë 20.09.2011, për të njëjtin fakt penal të ndodhur në qytetin e Lushnjës, më datë 03.08.1997, me pasojë vrasjen me armë zjarri të shtetasit Z. Xhevat Demiri, ndaj shtetasve nën akuzë Z. Ilir Stërgu, Z. Arben Boriçi e Z. Afrim Hoxha, ka vendosur përfundimisht pushimin e çështjes për të tre këta të pandehur, duke arsyetuar se provat e paraqitura nga organi i akuzës nuk ishin të mjaftueshme për t’i deklaruar fajtorë dhe se provat e fajësisë ngelen në fazën e dyshimeve sipas nenit 4 të Kodit të Procedurës Penale.

10.1. Lidhur me dëshminë e Znj. Mimoza Demiri, pala kërkuese ka pretenduar se kjo dëshmitare kishte përfituar statusin e dëshmitarit të mbrojtur pikërisht në bazë të kësaj dëshmie, se nuk ishte në martesë zyrtare të çertifikuar me të ndjerin Z. Xhevat Demiri, si dhe se dëshmia e saj është kontradiktore dhe aspak e besueshme. Pala kërkuese ka pretenduar se dëshmitarja pranon që personat ishin të veshur si policë dhe të maskuar, por njëkohësisht pretendon se i ka njohur ata, gjë që përbën kundërthënie të pakapërcyeshme. Gjithashtu, motivi që jep dëshmitarja për vrasjen nuk përputhet me atë që paraqet gjykata në vendim, pasi sipas dëshmitares vrasja nuk është kryer në kuadër të organizatës por për motive të dobëta.

10.2. Pala kërkuese ka sjellë në vëmendje gjithashtu se, Gjykata e Apelit kishte çmuar se aktet e ekspertimit balistik paraqesin aspekte kontradiktore me akte të tjera shkresore dhe janë të papërdorshme në vështrim të nenit 151 të KPP, pasi nga procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes rezulton se janë gjetur 4 gëzhoja ndërkaq ekspertimi është bërë për 6 gëzhoja. Gjykata e Apelit kishte konstatuar gjithashtu se provat me dëshmitarë paraqesin kontradikta midis tyre lidhur me pozicionin e Znj. Mimoza Demiri në automjet dhe momentin e veshjes së maskave, si dhe se Znj. Mimoza Demiri gjatë procesit të hetimit sipas procesverbalit të datës 16.03.1998 kishte deklaruar se vrasësit kanë qenë të veshur me rroba të policisë dhe me kapuçe në kokë, për rrjedhojë nuk ka patur asnjë mundësi për njohjen e tyre.

10.3. Pala kërkuese ka pretenduar se janë kryer shkelje të rënda ligjore përgjatë gjykimit. Konkretisht se në seancën e datës 03.02.2010 gjykata ka vendosur vazhdimin e gjykimit pa praninë e të pandehurit megjithëse ai kishte shprehur vullnetin e pjesëmarrjes, në shkelje të nenit 351 të KPP. Z. Gramoz Selmani është pyetur si i pandehur në një kohë që nuk e gëzonte më këtë status. Vëllezërit Daja janë pyetur nga oficerë të policisë gjyqësore pa delegim të posaçëm, në konsullatën shqiptare në Athinë pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pa dokumentacion identifikimi dhe me adresa fiktive në procesverbale. Janë kryer akte ekspertimi nga ekspertë pa bërë betimin e tyre, ndërsa Akti i Ekspertimit Balistik nr. 56, datë 09.05.1998 është caktuar për ekspertin Z. Aleksandër Mile por e ka kryer eksperti Z. Kristaq Andoni.

10.4. Pala kërkuese ka pretenduar se ka pasur shkelje procedurale në lidhje me njoftimin e akuzave të reja për episodin e vrasjes së Z. Luan Bilbili, pasi asnjë prej veprimeve procedurale të parashikuara në nenet 373, 374 dhe 376 të KPP nuk është zbatuar. Gjithashtu është pretenduar se procedimi ka nisur në mënyrë të kundraligjshme në shkelje të parimit “ne bis in idem”, pasi Z. Aldo Bare është hetuar edhe më parë për të njëjtat akuza në kuadër të Procedimit Penal nr. 238 të datës 11.10.1999, dhe se afati total i hetimeve prej 2 vjetësh e 6 muajsh ka kaluar afatin maksimal ligjor dyvjeçar, duke i bërë veprimet procedurale absolutisht të pavlefshme në kuptim të nenit 128/1/b të KPP. Sipas palës kërkuese, vendimi për marrjen si të pandehur i datës 11.06.2007 nuk i është njoftuar Z. Aldo Bare megjithëse ai mbahej i paraburgosur në Turqi dhe vendndodhja e tij ishte e njohur, në kundërshtim me nenin 34/1 dhe nenin 128/1/c të KPP.

10.5. Në përfundim, pala kërkuese ka kërkuar në bazë të nenit 450/1/a/c/ç dhe nenit 451/1/a të KPP pranimin e kërkesës për rishikimin e Vendimit Penal Nr. 17, datë 28.03.2011, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe dërgimin e çështjes për rigjykim sipas nenit 453/3 të KPP.

11. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 397, datë 31.07.2024, ka vendosur: “1. Mospranimin e kërkesës. 2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës kërkuese. 3. Ky vendim t’i njoftohet palës kërkuese. 4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.”

12. Në këtë vendim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në vijim Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë), ka arsyetuar ndër të tjera se: “(…)  Për sa i përket rastit objekt gjykimi, Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit Aldo Bare (Alfred Shkurti) lidhen me parashikimet e nenit 450/1/a/c/ç të K.Pr.Penale. Konkretisht, referuar kërkesës së paraqitur, Gjykata çmon se shtetasi Aldo Bare pretendon në thelb se: – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda përmes vendimit të saj Nr.51, datë 20.09.2011, për të njëjtin fakt penal/ngjarje të ndodhur në qytetin e Lushnjës datë 03.08.1997, rreth orës 17.00, me pasojë vrasjen me armë zjarri të shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri ndaj shtetasve nën akuzë Ilir Stërgu, Arben Boriçi e Afrim Hoxha, ka vendosur përfundimisht për të tre këta të pandehur e për këtë akuzë pushimin e çështjes penale për akuzën e vrasjes së shtetasit Xhevat Demiri – vendimi gjyqësor Nr.51, datë 20.09.2011, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda përbën provë të re lidhur me dinamikën dhe arsyetimin që bën Gjykata për këtë ngjarje/fakt penal për të cilin është dënuar me burgim të përjetshëm shtetasi Aldo Bare alias Alfred Shkurti për kryerjen e veprave penale të vrasjes me paramendim ndaj shtetasit Xhevat Demiri parashikuar nga neni 78/2 si vepër penale e kryer në kuadër të organizatës kriminale parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal; – përpos këtij shkaku ligjor të mbështetur në dispozitat penale të Kodit të Procedurës Penale specifikisht neni 450, pika 1, gërma “a”, janë një tërësi faktesh të tjera që klasifikohen si shkelje të rënda ligjore përgjatë gjykimit që ka passjellë vendimin penal objekt rishikimi e plotësojnë kornizën e nevojshme ligjore për rishikim të këtij vendimi penal.

12.1. Për sa i përket rastit të parashikuar në nenin 450, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, Gjykata çmon se kjo dispozitë parashikon si rast rishikimi faktin e papajtueshmërisë me një vendim tjetër të formës së prerë, ku duhet kuptuar se ky vendim duhet të jetë vendim penal i formës së prerë dhe jo një vendim i një juridiksioni tjetër (civil apo administrativ). Pavarësisht se ligjvënësi nuk e ka thënë në mënyrë të shprehur, kjo është e deduktueshme qartazi nga parimet e ndryshme që ndjekin juridiksionet e ndryshme gjyqësore. Në kuptim të nenit 450, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, kjo dispozitë duhet të kuptohet vetëm në referim të një vendimi tjetër po të juridiksionit penal që ka pranuar fakte të papajtueshme me vendimin objekt rishikimi. Neni 450, pika 1, shkronja “a” i K.Pr.Penale parashikon si rast rishikimi a) “kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë”, konstatohet qartë nga interpretimi i kësaj dispozite se është fakti që do të përbëjë shkak rishikimi vetëm kur dy vendime gjyqësore të formës së prerë janë bazuar mbi fakte të ndryshme të papajtueshme me njëra tjetrën, ndërkohë që nuk parashikohet si shkak rishikimi vendimmarrja e bazuar në një vlerësim të ndryshëm e dy gjykatave të juridiksioneve të ndryshme. Me anë të këtij parashikimi, ligjvënësi ka dashur të parashikojë si shkak rishikimi konstatimin e fakteve të ndryshëm dhe jo konstatimin e vlerësimit të ndryshëm të tyre, për vetë faktin se nuk mund t’i imponohet një gjykate në proces rishikimi një arsyetim apo vlerësim i paracaktuar i fakteve. Përkundrazi, në kuadër të konstatimit të fakteve të ndryshëm, gjykata e rishikimit ka detyrën të hetojë përsëri në lidhje me një fakt i cili ka rezultuar ndryshe në një proces tjetër.

12.2. Në rastin objekt gjykimi, vlerësohet se dy vendimet gjyqësore nuk kanë asnjë papajtueshmëri faktesh me njëra tjetrën, por kanë një vlerësim të ndryshëm të të njëjtit fakt nga ana e dy gjykatave. Pra, ashtu siç konstatohet qartë, rezulton se të dy gjykatat kanë vlerësime të ndryshme mbi faktin duke përdorur logjikë të ndryshme mbi këtë vlerësim. Nuk rezulton që faktet të jenë pasqyruar të ndryshme në dy vendimet gjyqësore. Kështu, konstatohet se Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në vendimin e dhënë ndaj shtetasit Arben Boriçi etj. ka analizuar dhe vlerësuar ndryshe provat që janë marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, duke konkluduar se nga analiza në tërësi e provave të administruara nuk provohet akuza në ngarkim të të pandehurve Arben Boriçi, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha për kryerjen e krimit të vrasjes së të ndjerit Xhevat Demiri për hakmarrje në kuadër të organizatës kriminale. Në vijim arsyetohet se provat e fajësisë ngelen në fazën e dyshimeve dhe se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda nuk është rrjedhojë e vlerësimit të drejtë të provave dhe fakteve të marra gjatë këtij procesi penal. Sa më sipër, Gjykata çmon se nuk ndodhemi përpara rastit të parashikuar nga neni 450/1/a të K.Pr.Penale. Gjithashtu, në këtë moment duhet të citohet se nga provat që janë paraqitur prej palës kërkuese nuk përcaktohet nëse ndaj këtij vendimi të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është bërë rekurs dhe nëse po, vendimmarrja përkatëse e Gjykatës së Lartë. Pra, nuk provohet nëse ky vendim i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda është në fuqi dhe se mund të përbëjë shkak për rishikim sipas nenit 450/1/a të K.Pr.Penale.

12.3. Në lidhje me shkakun e parashikuar në nenin 450/1/c të K.Pr.Penale, që ka të bëjë me prova të reja rezulton se kërkuesi nuk ka paraqitur ndonjë provë e cila bazuar në nenin 149 të K.Pr.Penale, përbën nga ato prova të cilat do të ndikonin në dhënien e vendimit, apo që gjykata dhe palët nuk kanë patur dijeni për ekzistencën e tyre. Gjykata konstaton se kërkuesi ka paraqitur si provë të re vendimin Nr.51, datë 20.09.2011 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Për të arritur në një përfundim të drejtë nëse ky vendim përfaqëson një provë të re, në kuptimin që ligji procedural penal i jep provës penale, Gjykata referon në nenin 149 të K.Pr.Penale. Sipas kësaj dispozite: “1.Prova janë njoftimet mbi faktet e rrethanat që lidhen me veprën penale, që merren prej burimeve të parashikuara në ligjin procedural penal, në përputhje me rregullat e caktuara prej tij dhe që shërbejnë për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprës penale, pasojat e ardhura prej saj, fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit dhe shkallën e përgjegjësisë së tij. 2. Kur kërkohet një provë që nuk rregullohet me ligj, gjykata mund ta marrë nëse prova vlen për të vërtetuar faktet dhe nuk cenon lirinë e vullnetit të personit. Gjykata vendos për marrjen e provës pasi dëgjon palët mbi mënyrën e marrjes së saj.” Gjithashtu, Gjykata përsa i përket një vendimi të formës së prerë si provë, mban parasysh nenin 193/7 të K.Pr.Penale që parashikon se: 7. Vendimet e formës së prerë mund të merren për qëllime të provës lidhur me ekzistencën e faktit, duke u vlerësuar në unitet me provat e tjera. Në lidhje me një situatë të tillë janë shprehur edhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me Vendimin Unifikues Nr.6, datë 11.10.2002, në lidhje me provat e reja që kanë dalë ose janë zbuluar pasi vendimi ka marrë formë të prerë, parashikon se: (…)

12.4. Në rastin konkret, nuk rezulton se ndodhemi para një situate të tillë, duke qenë se nuk mund të pretendohet se vendimi Nr.51, datë 20.09.2011 i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda përbën provë të re dhe se ka ekzistuar objektivisht në kohën kur është shqyrtuar çështja. Pra, nuk rezulton se në momentin që është shqyrtuar çështja penale, ka ekzistuar ndonjë provë (ekzistenca e të cilës nuk dihej) dhe që vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë tregon se vendimi i marrë është i gabuar. Konstatohet se objekt i kërkesës së paraqitur nga shtetasi Aldo Bare (Alfred Shkurti) është rishikimi i vendimit Nr.17, datë 28.03.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe sa më sipër rezulton se vendimi që pretendohet prej palës kërkuese si provë e re nuk ka ekzistuar objektivisht në kohën kur është shqyrtuar çështja. Gjithashtu, duke patur parasysh ecurinë e ankimit, rekursit apo faktit që kërkuesi i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, konstatohet se Gjykata e Lartë ka marrë vendim me datë 22.12.2022 (vendimi që ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së apelit për shtetasin Aldo Bare) dhe si rrjedhojë nuk mund të pretendohet dhe as provohet se kërkuesi nuk ka patur dijeni për ekzistencën e vendimit Nr.51, datë 20.09.2011 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Sa më sipër, Gjykata vlerëson se nuk ndodhemi përpara nenit 450/1/c të K.Pr.Penale dhe se vendimi Nr.51, datë 20.09.2011 i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda nuk përbën provë të re.

12.5. Për sa i përket shkakut të rishikimit sipas gërmës “ç” të nenit 450/1 të K.Pr.Penale, rezulton se rishikimi mund të kërkohet edhe kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale. Në këtë rast duhet që vendimi të jetë pasojë e falsifikimit të akteve që kanë të bëjnë me gjykimin ose pasojë e çdo vepre penale. Në rast se vendimi nuk është pasojë e aktit të falsifikuar apo e veprës penale, pra mungon lidhja shkak-pasojë, atëherë nuk mund të përbëjë rast të rishikimit. Gjithashtu, kërkohet që falsifikimi i akteve ose vepra penale që ka lidhje me vendimin e dhënë duhet të vërtetohen me vendim gjyqësor të formës së prerë, të bazuar në një procedim penal për dokumentin e falsifikuar ose veprën penale që ka përcaktuar dhënien e vendimit. Nga përmbajtja e kërkesës së paraqitur si dhe aktet bashkëngjitur nuk rezulton se pala kërkuese ka paraqitur ndonjë vendim gjyqësor të formës së prerë që të provojë se vendimi i dhënë ndaj tij (objekt i kërkesës për rishikim) është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit apo të një ndonjë fakti tjetër që përbën vepër penale. Si rrjedhojë, edhe ky pretendim i kërkuesit nuk qëndron. Gjithashtu, pretendimi se dëshmitarja Mimoza Demiri ka kryer falsifikim duke qenë se nuk ka qenë e martuar dhe nuk ka patur mbiemrin Demiri, përveçse nuk provohet në asnjë moment, çmohet se ky fakt edhe sikur të jetë i vërtetë, vendimi i dhënë nuk është pasojë e këtij “falsifikimi”.

12.6. Gjithashtu, rezulton se kërkuesi ka pretenduar se vendimi i dënimit është dhënë si pasojë e një procesi të pa rregullt ligjor, ndërkohë që vendimi ka qenë objekt i vlerësimit nga gjykatat më të larta të cilat e kanë lënë në fuqi, ndërkohë nuk është paraqitur ndonjë provë sipas parashikimeve të nenit 149 të K.Pr.Penale që ka ndikuar në procesin e rregullt ligjor në ngarkim të kërkuesit. Nëse kërkuesi pretendon shkelje të procesit të rregullt ligjor ai mund t’i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, siç rezulton se ka ndodhur në rastin konkret. Për sa i përket pretendimeve të palës kërkuese së vendimi është i padrejtë sepse nuk bazohet në ligj dhe në prova, është pasojë e shkeljeve ligjore, interpretimit të gabuar të ligjit material penal dhe të provave, duke kërkuar edhe pavlefshmërinë e akteve apo papërdorshmërinë e provave, nuk përbëjnë shkak për rishikim vendimi penal të formës së prerë, ashtu sikurse kërkohet në formë qartësisht të shprehur në nenin 450 të K.Pr.Penale, duke parashikuar në mënyrë shteruese rastet e rishikimit të vendimeve penale. Pra, Gjykata çmon se përsa i përket pretendimeve të palës kërkuese që lidhen me aspekte dhe shkelje proceduriale gjatë gjykimit të çështjes objekt kërkese nuk mund të kundërshtohen me këtë kërkesë.

12.7. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se në themel nuk qëndrojnë pretendimet e kërkuesit pasi nuk vërtetohet ekzistenca e rrethanave të përcaktuara në nenin 450 pika 1 të ligjit procedural penal. Kërkesa për rishikim të vendimit penal të Nr.17, datë 28.03.2011 i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, nuk i referohet asnjërës prej situatave për të cilat, ligji procedural penal mundëson rishikimin e një vendimi penal të formës së prerë. Sa më sipër, në rastin objekt gjykimi Gjykata çmon se, nuk plotësohen kushtet e cituara në nenin 450/1 të K.Pr.Penale, për tu konsideruar si një nga rastet që ligjvënësi ka parashikuar se mund të kërkohet rishikimi i vendimeve penale të formës së prerë.

13. Kundër vendimit të sipërcituar ka ushtruar ankim/apel kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti), duke kërkuar: “1. Ndryshimin e Vendimit gjyqësor nr. 397, datë 31.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar marrë dijeni zyrtarisht datë 14.11.2024 e duke vendosur pas ndryshimit të tij si më poshtë: 2. Pranimin e Kërkesës për rishikim të Vendimit penal nr. 17 datë 28.03.2011 të Gjykatës së Shkallës së parë për Krimet e Rënda Tiranë. 3. Marrjen e Vendimit për dërgimin e kësaj çështje për rigjykim sipas kërkesave të caktuara nga neni 453 pika 3 e Kodit të Procedurës Penale.”

14. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 269 (87-2024-396), datë 27.12.2024, ka vendosur: “1. Lënien në fuqi të Vendimin nr. 397, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar. 2. Shpenzimet gjyqësore në gjykimin në apel i ngarkohen palës kërkuese. 3. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”

15. Në këtë vendim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në vijim Gjykata e Posaçme e Apelit), ka arsyetuar ndër të tjera se: “(…)  Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në vijim Gjykata) vlerëson se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk ka shkaqe se pse të cenohet në pjesën e disponimit të tij. Gjykata vlerëson se kërkesa për rishikimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë është haptazi e pabazuar në ligj dhe se për rrjedhojë duhet të rrëzohet çdo pretendim i parashtruar në këtë ankim të jashtëzakonshëm dhe më tej edhe në apelin objekt gjykimi.

15.1. Gjykata vlerëson të sjellë në vëmendje se lista e shkaqeve që legjitimon ushtrimin e së drejtës së ankimit të jashtëzakonshëm të kërkesës për rishikim është e mbyllur dhe parashikohet në nenin 450 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo do të thotë se vetëm këto rrethana mund të legjitimojnë ushtrimin e kontrollit të jashtëzakonshëm mbi vendimin gjyqësor gjë e gjykuar (res judicata). Të gjitha këto shkaqe të parashikuara në këtë dispozitë janë të ndryshme teorikisht dhe praktikisht nga shkaqet që mund të përbëjnë bazë faktike apo juridike për ushtrimin e ankimeve të zakonshme, konkretisht apelin apo rekursin. Kjo do të thotë se shkaqet e ankimit të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor penal nuk mund të përbëjnë shkaqe ligjore të ankimit të jashtëzakonshëm të kërkesës për rishikimin e vendimit të formës së prerë. Ky mjet i jashtëzakonshëm ankimi mund të ushtrohet vetëm pasi të gjitha mjetet juridike të zakonshme të ankimit të jenë ezauruar. Kjo do të thotë se kërkesa për rishikim nuk mund të dublojë apo konkurojë ushtrimin e ankimit të zakonshëm. Gjithashtu Gjykata sjell në vëmendje se nuk mund të ketë shkaqe të tjera ligjore të ushtrimit të kërkesës për rishikimin e vendimit gjyqësor penal të formës së prerë tej atyre që parashikon neni 450 të Kodit të Procedurës Penale.

15.2. Gjithçka që parashtron si shkak rishikimi të vendimit gjyqësor të formës së prerë Z. Alfred Shkurti (Aldo Bare) është një përpjekje e tij dhe e mbrojtjes për të krijuar mundësinë e rigjykimit, duke kontestuar ligjshmërinë e vendimmarrjes gjyqësore penale të formës së prerë për shkaqe ligjore dhe faktike të cilat janë shqyrtuar dhe janë zgjidhur nga gjykatat përgjatë rrugëtimit gjyqësor të shqyrtimit të kësaj çështje në juridiksionin gjyqësor dhe më tej edhe në Gjykatën Kushtetuese. Parimi i mosdënimit dy herë për të njëjtin fakti, nuliteti i akteve procedurale, kalimi i afateve ligjore të hetimit, mosnjoftimi i akuzës, shkelja e rregullave për akuzat e reja në procesin penal, respektimi i së drejtës së mbrojtjes, gjykimi kontradiktor, papërdorshmëria e provave, mungesa në një nga seancat gjyqësore, rregullshmëria e formimit të trupit gjykues, vlera provuese e secilës prej provave me dëshmitar, papërdorshmëria e akteve të ekspertimit dhe të tjera pretendime të kësaj natyre janë shkaqe ligjore të cilat nuk bëjnë pjesë në listën e mbyllur dhe me karakter taksativ të nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale. Të gjitha këto shkaqe të parashtruara në kërkesën për rishikim janë të tilla që mund të jenë baza juridike e ushtrimit të ankimeve të zakonshme, konkretisht apelit apo rekursit. Kjo fazë e shqyrtimit gjyqësor është përmbyllur dhe bashkë me të është përmbyllur edhe mundësia e të dënuarit për të kërkuar gjyqësisht rishqyrtimin e tyre.

15.3. Nga ana tjetër Gjykata vlerëson se Vendimi nr. 51, datë 20.09.2011, i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, i cili ka prishur vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe ka vendosur pushimin e çështjes penale për akuzën e vrasjes së Z. Xhevat Demiri për bashkëtëpandehurit Z. Ilir Stërgu, Z. Afrim Hoxha dhe Z. Arben Boriçi, nuk mund të përbëjë shkak ligjor, sipas nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale, për të rishikuar vendimin gjyqësor penal të formës së prerë ndaj Z. Alfred Shkurti (Aldo Bare). Gjykata sjell në vëmendje se vendimi gjyqësor i parë i gjykatës së apelit, vendimi gjyqësor i parë i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vendimi gjyqësor i dytë i gjykatës së apelit, vendimi gjyqësor i dytë i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi gjyqësor i tretë i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë janë të gjitha akte procedurale të cilat datojnë pas në kohë në raport me vendimin gjyqësor që evokon si shkak për rishikim Z. Alfred Shkurti (Aldo Bare). Për rrjedhojë Gjykata vlerëson se asnjë shkak faktik apo ligjor që pasqyron dhe materializohet në këtë vendim gjyqësor nuk mund të shërbejë si shkak ligjor për rishikimin e vendimit gjyqoësor të formës së prerë të dënimit të Z. Alfred Shkurti (Aldo Bare).

15.4. Gjykata vlerëson se lidhur me pjesën tjetër të arsyetimit të vendimit, vendimi i gjykatës së shkallës së parë duhet të lihet në fuqi në tërësi, duke u bashkuar edhe Gjykata tej arsyetimit të parashtruar më lart.

16. Kundër vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Posaçme të Apelit, ka paraqitur rekurs, kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti) duke kërkuar: “1. Ndryshimin e Vendimit gjyqësor Nr. 269 (87-2024-396) datë 27.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (marrë dijeni në rrugë postare datë 04.01.2025) dhe dërgimin e kësaj çështje për rigjykim në të njëjtën Gjykatë me tjetër trup gjykues. Në alternativë, 2. Ndryshimin e Vendimit gjyqësor Nr. 269 (87-2024-396) datë 27.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si dhe Vendimit gjyqësor nr. 397 datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e duke vendosur pas ndryshimit të tyre si më poshtë: 3. Pranimin e Kërkesës për rishikim të Vendimit penal nr. 17 datë 28.03.2011 të Gjykatës së Shkallës së parë për Krimet e Rënda Tiranë. 4. Marrjen e Vendimit për dërgimin e kësaj çështje për rigjykim sipas kërkesave të caktuara nga neni 453 pika 3 e Kodit të Procedurës Penale.”

17. Kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti), ka parashtruar në rekurs, në mënyrë të përmbledhur këto shkaqe:

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, si dhe Gjykata e Posaçme e Apelit, gjatë arsyetimit të vendimmarrjes së tyre nuk kanë marrë në konsideratë dhe nuk kanë kthyer përgjigje shteruese për të gjitha pretendimet, sidomos mbi provën determinante që përbën shkakun ligjor për të rishikuar vendimin penal të formës së prerë.
Gjykatat kanë nxjerrë nga konteksti arsyetimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë në Vendimin nr. 00-2024-367 datë 29.02.2024, duke e përdorur si bazë për mospranimin e kërkesës për rishikim. Qëndrimi se neni 450, pika 1, gërma “a”, i KPP kërkon vetëm vendim penal të formës së prerë dhe jo vendim të juridiksionit civil apo administrativ, nuk gjen mbështetje në frymën e Vendimit nr. 23/2007 të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka theksuar se vlerësimi i vendimit gjyqësor të paraqitur si provë ka rëndësi në kuadrin e respektimit të parimit të sigurisë juridike, si aspekt themelor i shtetit të së drejtës.
Sipas Vendimit nr. 13, datë 07.03.2024, të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së GJEDNJ-së, në të drejtën penale kërkesat e sigurisë juridike nuk janë absolute. Shfaqja e fakteve të reja ose zbulimi i një defekti thelbësor në procedurat e mëparshme që mund të ndikonte në rezultatin e çështjes, shkojnë në favor të rihapjes së procedurave. Gjykata duhet të vlerësojë nëse fillimi dhe kryerja e rishikimit janë ushtruar në mënyrë që të arrihet një ekuilibër i drejtë midis interesave të individit dhe nevojave për të siguruar efektivitetin e sistemit të drejtësisë penale. Lënia në fuqi, pas procedurave të rishikimit, e një dënimi që shkel të drejtën për një gjykim të drejtë, përbën një gabim vlerësimi që e përjetëson atë shkelje.
Prova e re, Vendimi nr. 51, datë 20.09.2011, i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, nuk është përmendur në asnjë nga vendimet gjyqësore të mëparshme të evidentuara nga Gjykata e Posaçme e Apelit, dhe për këtë arsye nuk mund të paragjykohet se palët kanë krijuar artificialisht kërkesën për rishikim pasi kanë ezauruar rrugët ligjore. Në këtë vendim, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka arritur në përfundimin se provat e paraqitura nga organi i akuzës nuk janë të mjaftueshme për të deklaruar fajtorë të pandehurit Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe Afrim Hoxha për vrasjen e shtetasit Xhevat Demiri, duke aplikuar parimin se çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit, sipas nenit 4 të KPP.
Dëshmia e dëshmitares Mimoza Demiri, e dhënë me videokonferencë dhjetë vjet pas ngjarjes, është kontradiktore dhe e pabesueshme. Kjo dëshmitare ka përfituar statusin e dëshmitarit të mbrojtur pikërisht në bazë të kësaj dëshmie, gjë që krijon dyshime për besueshmërinë e saj. Në deklarimin e dhënë më datë 16.03.1998 para organit procedues, ajo ka pranuar se nuk njeh asnjë nga personat që kanë qëlluar mbi burrin e saj, pasi personat kanë qenë të maskuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i ka dhënë vlerë provuese këtij proces-verbali, duke konstatuar se është në harmoni me provat e tjera të marra në proces. Pretendimi i dëshmitares se ka pasur frikë më parë për të thënë të vërtetën bie poshtë nga fakti se ajo ka jetuar dhe banuar në Shqipëri pas ngjarjes, ndërkohë që i akuzuari ka qenë në hetim dhe gjykim edhe më parë dhe nuk kishte asnjë mundësi për të kërcënuar apo për t’i bërë presion kësaj dëshmitareje. Thëniet e dëshmitares para Gjykatës i janë sugjeruar nga shtetasit Zigur Bixha dhe Bujar Hoxha.
Dëshmitarja Mimoza Demiri, nga pyetja e kryer nga kërkuesi, ka deklaruar se nuk e di se kush e ka vrarë burrin e saj pasi krismat u dëgjuan kur viktima ishte në pjesën e pasme të furgonit, në kundërshtim të plotë me pretendimin se e ka identifikuar autorin si personin që ka qëlluar plumbin e trembëdhjetë. Motivi i vrasjes që jep vetë dëshmitarja nuk është ai i organizatës kriminale siç paraqet Gjykata në vendim, por motive të dobëta, konkretisht se autori vriste biznesmenet sepse donte paratë dhe i vinte inat viktima sepse ishte biznesmen dhe i ecte tregtia. Gjatë dëshmisë, kjo dëshmitare ka nxjerrë në sallën e gjyqit një kapelë të dëmtuar nga plumbat që pretendon se ka mbajtur viktima në momentin e vrasjes, provë materiale e cila nuk është përmendur asnjëherë më parë dhe për të cilën nuk është kryer asnjë veprim hetimor apo ekspertim, gjë që tregon se qëllimi i dëshmitares ka qenë të influencojë emocionalisht gjykatën dhe jo të tregojë të vërtetën.
Mimoza Xhepexhiu Demiri nuk ishte në një martesë zyrtare të certifikuar sipas legjislacionit material shqiptar, dhe për këtë arsye gjeneraliteti i ndryshuar “Demiri” është i falsifikuar, gjë që përbën shkak të pavarur ligjor për rishikim të vendimit penal.
Dëshmitarët Benet Gjyla dhe Albert Gjyla kanë dëshmuar se dëshmitarja Mimoza Demiri ka qëndruar në sediljen e pasme të furgonit dhe jo përbri të ndjerit Xhevat Demiri siç pretendon ajo, gjë që lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e saj për të parë ngjarjen, duke qenë se dritaret e tjera të mjetit kanë qenë të mbuluara me perde. Dëshmitarët Lorenc Hajdari dhe Bujar Bejte kanë dëshmuar se nga lokali nuk dukej vendi i ngjarjes dhe se shtetasit Arben Kice dhe Drago Voshtina nuk kanë qenë në lokal ditën e ngjarjes. Dëshmitarit Arben Kice i është hequr statusi i dëshmitarit të mbrojtur dhe ka dhënë deklarata mediatike ku ka pranuar se ka qenë i kushtëzuar nga të tretë për të dhënë këto deklarata me qëllimin për të përfituar azil.
Aktet e ekspertimit balistik nr. 38, datë 21.03.1998 dhe nr. 2414, datë 08.11.1999, paraqesin aspekte kontradiktore me akte të tjera shkresore. Nga procesverbali i kqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 03.08.1997, rezulton se janë gjetur katër gëzhoja, ndërsa ekspertimi është bërë për gjashtë gëzhoja. Organi i akuzës nuk ka zbatuar dispozitat e detyrueshme ligjore procedurale për fiksimin, marrjen dhe sekuestrimin e provës materiale sipas neneve 208 dhe 294 të KPP, gjë që i bën këto prova të papërdorshme në kuptim të nenit 151/4 të KPP.
Kërkohet thirrja në cilësinë e dëshmitarëve e shtetasve Arben Kodollaku, ish-Shef i Qarkullimit Rrugor pranë Komisariatit të Policisë Lushnjë, dhe Vehbi Bushati, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Lushnjë, të cilët mund të vërtetojnë se kërkuesi Aldo Bare ka qenë në shtëpinë e tij së bashku me këta dy persona në datën dhe orarin e ngjarjes kriminale.
Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
18. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji), në shqyrtim të rekursit të paraqitur nga kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti), konstaton fillimisht se ai është depozituar brenda afatit ligjor dhe në formën e parashikuar nga neni 435 i KPP. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është njoftuar rregullisht për rekursin, duke u plotësuar kështu kriteret formale për shqyrtimin e këtij rekursi.

19. Në vijim të verifikimit formal, Kolegji kalon në analizën e themelit të pretendimeve të parashtruara, duke sjellë paraprakisht në vëmendje kuadrin ligjor që orienton juridiksionin e kësaj Gjykate. Neni 432, pika 1, i KPP parashikon se:“1. Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimeve të Gjykatës së Apelit mund të bëhet për këto shkaqe: a) për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit material ose procedural, me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; b) për mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; c) kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë”. Kolegji thekson rolin dhe funksionin e Gjykatës së Lartë si gjykatë ligji dhe jo fakti, funksion ky që realizohet përmes ushtrimit të juridiksionit në garantimin e zbatimit uniform të ligjit dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore.

20. Nga përmbajtja e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti), Kolegji identifikon këto pretendime kryesore: së pari, pretendimin se gjykatat nuk kanë dhënë përgjigje shteruese për të gjitha pretendimet, sidomos mbi provën determinante që përbën shkakun ligjor për rishikim; së dyti, pretendimin se Vendimi nr. 51, datë 20.09.2011, i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda përbën shkak rishikimi sipas nenit 450/1/a të KPP për shkak të papajtueshmërisë së fakteve, si dhe provë të re sipas nenit 450/1/c të KPP; së treti, pretendimin se mbiemri “Demiri” i përdorur nga dëshmitarja Mimoza Demiri përbën falsifikim që përligj rishikimin sipas nenit 450/1/ç të KPP; së katërti, pretendimin se dëshmia e dëshmitares Mimoza Demiri është kontradiktore dhe e pabesueshme, si dhe se dëshmitarë të tjerë kanë dhënë dëshmi kontradiktore me atë të saj; së pesti, pretendimin se aktet e ekspertimit balistik paraqesin aspekte kontradiktore që i bëjnë provat të papërdorshme; së gjashti, kërkesën për thirrjen e dëshmitarëve të rinj si provë alibie; dhe së shtati, pretendimin se gjykatat kanë interpretuar gabimisht praktikën gjyqësore dhe standardet e GJEDNJ lidhur me sigurinë juridike.

21. Për sa i përket pretendimit të parë, që lidhet me mungesën e përgjigjes shteruese nga gjykatat ndaj të gjitha pretendimeve të parashtruara, Kolegji konstaton se si Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ashtu dhe Gjykata e Posaçme e Apelit kanë trajtuar në mënyrë të detajuar çdo pretendim të ngritur nga kërkuesi. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka analizuar veçmas secilin shkak të parashtruar në kërkesën për rishikim, duke arsyetuar për secilin prej tyre arsyet e mospranimit. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë duke shtuar dhe arsyetimin e saj lidhur me karakterin taksativ të shkaqeve të rishikimit sipas nenit 450 të KPP. Nga analiza e të dy vendimeve rezulton se gjykatat kanë adresuar çdo pretendim substancial të kërkuesit, duke dhënë arsyetim të mjaftueshëm për përfundimet e arritura. Në këtë kontekst, Kolegji vlerëson se pretendimi i rekursuesit se gjykatat nuk kanë dhënë përgjigje shteruese është i pabazuar në aktet e çështjes.

22. Kolegji kalon në adresimin e pretendimit të dytë, që ka të bëjë me Vendimin nr. 51, datë 20.09.2011, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda si shkak rishikimi. Ky pretendim i referohet dy shkaqeve të ndryshme të rishikimit që kërkojnë trajtim të veçantë: shkaku për papajtueshmëri të fakteve sipas nenit 450/1/a të KPP, si dhe shkaku se ky vendim përbën provë të re sipas nenit 450/1/c të KPP.

23. Në lidhje me pretendimin sipas të cilit, vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda trajtohet si shkak për rishikimin sipas nenit 450/1/a të KPP, Kolegji konstaton se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka arsyetuar drejt kur ka dalluar midis papajtueshmërisë së fakteve dhe vlerësimit të ndryshëm të të njëjtave fakte. Kjo dispozitë kërkon që dy vendime gjyqësore të formës së prerë të jenë bazuar mbi fakte të ndryshme të papajtueshme me njëra tjetrën, dhe jo mbi vlerësime të ndryshme të të njëjtave fakte. Ky dallim është themelor për institutin e rishikimit, pasi ligjvënësi ka parashikuar si shkak rishikimi vetëm konstatimin e fakteve të ndryshme dhe jo vlerësimin e ndryshëm të tyre, për vetë faktin se nuk mund t’i imponohet një gjykate në proces rishikimi një arsyetim apo vlerësim i paracaktuar i fakteve. Në rastin konkret, siç ka konstatuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, të dy vendimet nuk kanë asnjë papajtueshmëri faktesh me njëra tjetrën, por kanë një vlerësim të ndryshëm të të njëjtit fakt nga ana e dy gjykatave. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, në vendimin ndaj shtetasve Arben Boriçi, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, ka vlerësuar ndryshe provat e administruara dhe ka konkluduar se akuza nuk provohet për këta të pandehur, por kjo përfaqëson një vlerësim të ndryshëm provash dhe jo konstatim faktesh të ndryshme nga ato të vendimit objekt rishikimi.

24. Kolegji çmon se vlen të theksohet fakti se konkluzioni i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, sipas të cilit nuk provohet akuza ndaj shtetasve Arben Boriçi, Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, nuk mund të interpretohet si shprehje e kësaj gjykate se nuk provohet akuza ndaj kërkuesit Aldo Bare (Alfred Shkurti). Bëhet fjalë për shtetas të ndryshëm dhe provueshmëria e akuzës nuk kërkon vetëm provueshmërinë e faktit, por në veçanti edhe provueshmërinë e autorësisë mbi faktin. Vendimmarrja e gjykatave për secilin bashkëtëpandehur bazohet në vlerësimin e individualizuar të provave në raport me rolin konkret të secilit prej tyre, gjë që e bën logjikisht të pamundur nxjerrjen e përfundimeve automatike nga vendimi ndaj njërit për pozitën procedurale të tjetrit.

25. Në lidhje me pretendimin sipas të cilës ky vendim i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda trajtohet si provë e re sipas nenit 450/1/c të KPP, Kolegji konstaton se gjykatat kanë arsyetuar gjërësisht se Vendimi nr. 51, datë 20.09.2011, nuk plotëson kriteret e provës së re në kuptim të kësaj dispozite. Sipas nenit 149 të KPP, prova janë njoftimet mbi faktet e rrethanat që lidhen me veprën penale, që merren prej burimeve të parashikuara në ligjin procedural penal dhe që shërbejnë për të vërtetuar kryerjen ose jo të veprës penale, fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit dhe shkallën e përgjegjësisë së tij. Sipas nenit 450/1/c të KPP dhe Vendimit Unifikues nr. 6, datë 11.10.2002, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, provat e reja duhet të kenë ekzistuar objektivisht në kohën kur është shqyrtuar çështja dhe ekzistenca e tyre të mos ketë qenë e njohur, ose të jenë zbuluar pas vendimit. Në rastin konkret, vendimi që pretendohet si provë e re daton më 20.09.2011. Duke patur parasysh ecurinë e mëtejshme të ankimimit, përfshirë vendimin e Gjykatës së Lartë nr. 00-2022-1738, datë 22.12.2022, Kolegji konstaton se kërkuesi ka patur mundësi objektive të njihet me ekzistencën e këtij vendimi gjatë gjithë rrugëtimit gjyqësor dhe nuk mund të pretendojë mosnjohje të ekzistencës së tij.

26. Për sa i përket pretendimit të tretë, që ka të bëjë me gjeneralitetin e dëshmitares Mimoza Demiri dhe përdorimin e mbiemrit “Demiri” si të falsifikuar, Kolegji konstaton se ky pretendim nuk plotëson kriteret e shkakut të parashikuar në nenin 450/1/ç të KPP. Sipas kësaj dispozite, rishikimi mund të kërkohet kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale. Për zbatimin e kësaj dispozite kërkohen dy kushte kumulative: së pari, që falsifikimi ose vepra penale të jetë vërtetuar me vendim gjyqësor të formës së prerë; dhe së dyti, që të ekzistojë lidhja shkak-pasojë midis falsifikimit dhe vendimit të dhënë. Nga aktet e çështjes nuk rezulton se kërkuesi ka paraqitur ndonjë vendim gjyqësor të formës së prerë që të provojë se dëshmitarja ka kryer falsifikim. Për më tepër, siç ka arsyetuar dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, edhe sikur ky fakt të ishte i vërtetë, vendimi i dhënë nuk është pasojë e këtij pretenduar “falsifikimi”, pasi identiteti i dëshmitares nuk ka qenë element përcaktues në vlerësimin e dëshmisë së saj dhe në dhënien e vendimit përfundimtar. Mungesa e lidhjes shkakësore midis pretendimit për falsifikim dhe vendimit objekt rishikimi e bën të pazbatueshëm shkakun e parashikuar në nenin 450/1/ç të KPP.

27. Kolegji kalon në adresimin e pretendimit të katërt, që lidhet me besueshmërinë dhe vlerën provuese të dëshmisë së dëshmitares Mimoza Demiri, si dhe me dëshmitë kontradiktore të dëshmitarëve të tjerë në raport me dëshminë e saj. Kolegji konstaton se ky pretendim del jashtë objektit të shqyrtimit në procedurën e rishikimit sipas nenit 450 të KPP. Vlerësimi i besueshmërisë së dëshmitarëve, peshimi i provave dhe zgjidhja e kontradiktave midis tyre përbëjnë çështje që i përkasin kompetencës së gjykatave të faktit dhe mund të jenë objekt ankimi të zakonshëm, por jo shkak për rishikim të vendimit të formës së prerë. Siç ka arsyetuar dhe Gjykata e Posaçme e Apelit, të gjitha pretendimet që lidhen me vlerën provuese të dëshmive, kontradiktat midis dëshmitarëve dhe vlerësimin e provave janë shkaqe që kanë mundur të paraqiten në fazën e ankimeve të zakonshme dhe janë shqyrtuar nga gjykatat përkatëse. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2022-1738, datë 22.12.2022, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, duke konfirmuar vlerësimin e provave të bërë nga gjykatat e faktit. Në këtë kontekst, pretendimi i rekursuesit përfaqëson një përpjekje për të kontestuar çështje që janë zgjidhur përfundimisht, gjë që bie ndesh me natyrën e institutit të rishikimit si mjet i jashtëzakonshëm ankimi.

28. Për sa i përket pretendimit të pestë, që ka të bëjë me aktet e ekspertimit balistik nr. 38, datë 21.03.1998 dhe nr. 2414, datë 08.11.1999 dhe kontradiktat e pretenduara me akte të tjera shkresore, Kolegji konstaton se edhe ky pretendim nuk përfshihet në shkaqet taksative të rishikimit sipas nenit 450 të KPP. Pretendimi se nga procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes rezultojnë katër gëzhoja ndërsa ekspertimi është bërë për gjashtë gëzhoja, si dhe pretendimi se nuk janë zbatuar dispozitat procedurale për fiksimin dhe sekuestrimin e provës materiale sipas neneve 208 dhe 294 të KPP, përbëjnë shkaqe që lidhen me ligjshmërinë dhe përdorshmërinë e provave. Siç ka arsyetuar Gjykata e Posaçme e Apelit, shkaqet që lidhen me shkelje procedurale gjatë gjykimit, papërdorshmërinë e provave dhe interpretimin e gabuar të ligjit material ose procedural, janë shkaqe që bëjnë pjesë në listën e bazave juridike për ushtrimin e ankimeve të zakonshme dhe jo në listën e mbyllur të nenit 450 të KPP. Këto çështje mund të ngriheshin gjatë fazës së gjykimit në themel ose në ankimet e zakonshme, por nuk përbëjnë shkaqe për rishikim të vendimit të formës së prerë. Faza e shqyrtimit gjyqësor të zakonshëm është përmbyllur dhe bashkë me të është përmbyllur edhe mundësia e të dënuarit për të kërkuar gjyqësisht rishqyrtimin e këtyre çështjeve.

29. Kolegji kalon në adresimin e pretendimit të gjashtë, që ka të bëjë me kërkesën për thirrjen e dëshmitarëve të rinj Arben Kodollaku dhe Vehbi Bushati si provë alibie. Kolegji konstaton se ky pretendim nuk mund të shqyrtohet në kuadrin e procedurës së rishikimit sipas kushteve të parashikuara në nenin 450 të KPP. Për t’u kualifikuar si provë e re në kuptim të nenit 450/1/c të KPP, prova duhet të ketë ekzistuar objektivisht në kohën e gjykimit dhe ekzistenca e saj të mos ketë qenë e njohur, ose të jetë zbuluar pas vendimit. Në rastin konkret, rekursuesi nuk ka argumentuar se këta dëshmitarë përbëjnë provë të re në kuptim të dispozitës së sipërcituar, por ka kërkuar thirrjen e tyre për të vërtetuar alibinë e tij. Çështja e alibisë është një çështje fakti që duhej të ngrihej dhe provohej gjatë gjykimit në themel dhe nuk mund të diskutohet në procedurën e rishikimit.

30. Për sa i përket pretendimit të shtatë, që lidhet me interpretimin e gabuar të praktikës gjyqësore dhe standardeve të GJEDNJ-së, Kolegji konstaton se këto pretendime nuk e ndryshojnë përfundimin e arritur nga gjykatat. Pretendimi se gjykatat kanë nxjerrë nga konteksti arsyetimin e Kolegjit Penal në Vendimin nr. 00-2024-367, datë 29.02.2024, nuk gjen mbështetje në aktet e çështjes, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, në arsyetimin e vendimit të saj, ka referuar parimet e përgjithshme të interpretimit të nenit 450/1/a të KPP, duke dalluar midis fakteve të papajtueshme dhe vlerësimit të ndryshëm të provave. Ky dallim është në përputhje të plotë me praktikën e konsoliduar të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër, për sa i përket referimit që rekursuesi i bën Vendimit nr. 13, datë 07.03.2024, të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së GJEDNJ lidhur me sigurinë juridike në të drejtën penale, Kolegji vlerëson se është e vërtetë se sipas kësaj praktike kërkesat e sigurisë juridike nuk janë absolute dhe se shfaqja e fakteve të reja ose zbulimi i një defekti thelbësor në procedurat e mëparshme mund të shkojnë në favor të rihapjes së procedurave. Megjithatë, ky parim nuk do të thotë se çdo pretendim i paraqitur nga i dënuari duhet të çojë domosdoshmërisht në rishikimin e vendimit. Përkundrazi, mundësia e rishikimit kufizohet nga shkaqet taksative të parashikuara në ligj, dhe gjykata duhet të verifikojë nëse pretendimet e paraqitura përfshihen në këto shkaqe. Në rastin konkret, siç u arsyetua më sipër, asnjë prej pretendimeve të rekursuesit nuk plotëson kriteret e shkaqeve të rishikimit sipas nenit 450 të KPP.

31. Në sintezë të analizës së mësipërme, nga shqyrtimi i akteve dhe vendimmarrjes së gjykatave, Kolegji nuk konstaton se nga ana e Gjykatës së Posaçme të Apelit të ketë zbatim të gabuar të ligjit material ose procedural me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore, sipas nenit 432/1/a të KPP. Gjithashtu, Kolegji nuk konstaton mosrespektim apo zbatim të gabuar të ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave, sipas nenit 432/1/b të KPP. Së fundi, Kolegji nuk konstaton që vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 432/1/c të KPP.

32. Për rrjedhojë, Kolegji vlerëson se rekursi i paraqitur nga kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti) nuk bazohet në asnjë prej shkaqeve të parashikuara nga neni 432 i KPP dhe në zbatim të neneve 433 dhe 441, pika 1, shkronja “a”, të këtij Kodi, duhet të vendoset mospranimi i tij.

PËR KËTO ARSYE

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenet 433 dhe 441, pika 1, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

Mospranimin e rekursit të paraqitur nga kërkuesi Aldo Bare (Alfred Shkurti), kundër vendimit nr. 269 (87-2024-396), datë 27.12.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

                                                                                                Tiranë, më 10.02.2026

Alfred Shkurti, i njohur ndryshme me emrin Aldo Bare, është dënuar për krime të rënda të kryera në kuadër të bandës që krijoi dhe drejtoi për vite me radhë duke terrorizuar Lushnjen./ZËRI

Poll

MOS HUMB