
TIRANË- Një alarm për bombë ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit. Por rezultoi se ishte një lajm i rremë. Pasditen e sotme, rreth orës 15:38, në emailin e Policisë së Shtetit ka mbërritur një njoftim që ka alarmuar "blutë". Në email shkruhej se një bombë ishtë vendosur në rrugën ‘Ukraina e Lirë’ në Tiranë, atje ku edhe është e vendosur Ambasada ukrainase.
Menjëherë zona u blinduar dhe ZËRI siguroi pamje nga kontrolli që po ushtronte Policia e Shtetit në zonën "e kuqe", por nuk zbuloi asgjë. Pas verifikimeve që u bënë në terren, u zbulua se bëhej fjalë për një alarm të rremë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 14.10.2024, në orën 15:38, është marrë njoftim se në adresën e Ambasadës Ukrainase ka ardhur e-mail në të cilin thuhej se në ambientet e ambasadës ishte vendosur bombë. Shërbimet e Policisë dhe Njësia Antieksploziv kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë evakuimin e stafit të ambasadës dhe pas kryerjes së kontrollit dhe verifikimeve përkatëse, ka rezultuar se njoftimi ishte i rremë. Shërbimet e Policisë, strukturat e Antiterrorit dhe strukturat e specializuara për Hetimin e Krimit Kibernetik në bashkëpunim me stafin e Ambasadës po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës për rastin./ZËRI