
TIRANË- Biznesmeni Artan Sako, vëllai i ish-kreut të Gardës së Republikës Gramoz Sakos, është paraqitur në ambientet e Stukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sako ka qëndruar në ambientet e SPAK për gati një orë, ku edhe është marrë në pyetje nën cilësinë e personit në dijeni. Por ende nuk dihet se për çfarë çështje është marrë në pyetje.
Gramoz Sako dha dorëheqjen më 3 Shkurt 2024 nga detyra e Komandatit të Përgjithshëm të Gardës që prej vitit 2013. Asokohe dorëheqja e tij ndryshoi ligjin për kreun e Gardës së Republikës. Një ndër zërat që komentoi largimin e tij ishte dhe deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili tha se kishte hipoteza se Sako kishte lënë detyrën pas 11 viteve për shkak se i kishte dalë emri në bisedat që zhvilloheshin në rrjetin e koduar "SkyECC".
Ndërsa Artan Sako është lakuar shpesh për aktivitetin e tij, ku në të paktën dy procedime të mëparshme të SPAK, kompania e tij, "2T" ka marrë tendera publikë. Emri i Sakos përmendej në procedurat e një tenderi, që iu dha kompanisë të tij të quajtur “2 T” për mirëmbajtje rruge, ku në garë ishte vetëm kompania në fjalë dhe u shpall fituese me ofertën 99% të fondit limit. Gjithashtu, emri i tij është përmendur edhe lidhur me nënkontraktimin e kompanisë së tij nga kompania koncensionare "SaniService" për koncensionin e Sterilizimit. Kështu, në kushtet që nuk ka ende një njoftim zyrtar nga SPAK, mbetet e paqartë se përse është marrë në pyetje sot Sako./ZËRI