Aktualitet

Akuzohej për shpifje/ SPAK kërkoi dënimin e Gazment Bardhit, GJKKO e shpall të pafajshëm

Çështja mes Sulajt dhe Bardhit u pushua.

I.F
Akuzohej për shpifje/ SPAK kërkoi dënimin e Gazment Bardhit,
Gazment Bardhi dhe Edmond Sulaj

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar të shpallet fajtor kreu i grupit Parlamentar i Parisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili është paditur për “shpifje” dhe “fyerje” nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula.

Avokatët e Bardhit argumentuan gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se klienti i tyre nuk mund të dënohet për deklarimet që ka bërë në kuvend, pasi janë bërë në cilësinë e depuetit. Për këtë arsye ata kërkuan pafajësinë e tij.

Pasi gjykata u tërhoq për vendim, ata vendosën që deputeti të shpallej i pafajshëm. Çështja mes Sulajt dhe Bardhit u pushua.

Pas seancës, avokati i deputetit demokrat Marash Logu tha për mediat se pas padisë ndaj klientit të tij qëndron kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Ai u shpreh se dhe paditë e ngritura ndaj Bardhit nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) janë të njëjta, por presin të fitojnë.

“Dumani thonte këto biseda ekzistojnë, prokurori kërkoi të deklarohet fajtor. Por fatmirësisht gjykata iu referua ligjit dhe provave dhe vendosi të deklarojë të pafajshëm Bardhin, duke provuar se as nuk shpif dhe as nuk fyen por ju referohet vetëm fakteve. Kam një apel për Ramën me porosi të Bardhit, siç e kam bërë për Ballukun. Balluku fshihet dhe keqpërdor vartësit e OSHEE dhe KESH për të mos u përballur me akuzat dhe vjedhjen. Padia që ka depozituar KESH është njësoj si OSHEE. Gjykata ka njoftuar që jemi duke hetuar mbi bazën e kallëzimit që Bardhi ka bërë mbi KESH dhe OSHEE ata vazhdojnë të insistojnë mbi të njëjtat pretendime. Presim të kenë të njëjtin fat, jo vetëm ajo, të gjitha paditë që bëhen ndaj Bardhit, këtë e them edhe si këshilltar ligjor, do kenë të njëjtin fat. As nuk shpifim, as nuk gënjejmë por i referohemi fakteve e dokumenteve zyrtare. E ftojmë që në betejën e radhës të mos vijë, Sulaj, KESH e OSHEE, po Rama dhe Balluku. Se ata janë përgjegjësit e vërtetë”, tha Logu.

Padia

Gazment Bardhi, u padit për shpifje, nga ish-kreu i Policisë Shkodër, Edmond Sula, pasi gjatë seancës parlamentare deputeti deklaroi se ish-drejtori ishte emëruar në atë pozicion nga bandat kriminale dhe emri i tij ka dalë në përgjimet e “SKY ECC”. Menjëherë pas kësaj, Sulaj deklaroi se do të ngrejë padi kundrejt demokratit për “shpifje” dhe “fyerje”.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Edmond Sulajt, të rihapë hetimin gjyqësor dhe t’i drejtohet me kërkesë SPAK-ut për të vënë në dispozicion, pa cenuar hetimet, informacionin nëse dokumenti i lexuar nga Bardhi është pjesë e fashikullit gjyqësor të dosjes “Metamorfoza”.

Por çfarë përmbanin bisedat?

"Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën! Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm,"-tha Bardhi në Kuvend.

Përgjigjia e parë kundër tij erdhi vetëm disa orë më pas, nga vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Nga Kuvendi, ministri i ri i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratit, ndërsa Sulaj paralajmëroi betejën ligjore ndaj demokratit./ZËRI

Poll

MOS HUMB