
TIRANË- Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ulur dënimin për ish-gjyqtarin Ardian Hajdari. Në seancën e sotme, Ardian Hajdari u dënua me 6 muaj burg për fshehje pasurie. Dënim ky që iu konvertua në 1 vit shërbim prove. Më herët, Shkalla e Parë e shpalli fajtor Hajdarin dhe e dënoi me 1 vit heqje lirie, kohë e cila iu konvertua në 2 vite shërbim prove.
Prej 7 shkurtit 2022, Hajdari ishte pezulluar nga detyra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi u mor i pandehur nga SPAK. Kjo pasi më 24 qershor 2020, Hajdari u kallëzua penalisht në SPAK me pretendimin se kishte gënjyer në aplikimin për t’u zgjedhur anëtar i KPA-së përmes falsifikimit të dokumenteve. Kallëzimi i referohej deklarimit të tij se punonte prej 17 vitesh si avokat.
SPAK e akuzoi Hajdarin se nuk kishte deklaruar të ardhurat nga avokatia, kur kishte aplikuar për vendin e punës si anëtar i KPA. Por i akuzuari këmbënguli se ishte i pafajshëm. Pas hetimeve, SPAK doli në përfundimin se Hajdari depozitonte pranë organeve tatimore deklarata tatimore me vlera zero ose ndonjë deklaratë me vlerë të papërfillshme. Duke i fshehur kështu të ardhurat nga puna e tij si avokat.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
R E P U B L I K A E S H Q I P Ë R I S Ë
GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
Tiranë, më datë18.11.2024
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçmee Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarëtEngert Pëllumbi (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Florjan Kalaja (anëtar), sot më datë18.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar menr. 44 akti, datë 23.07.2024 regjistrimi,mbi ankimin eankuesit/të pandehuritA.H., kundër vendimit nr. 4, datë 24.01.2024të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë përKorrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2012, dhe dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2016, dhe dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2017, dhe deklaratat e TVSH-së për vitin 2017, si dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2013-2015 dhe TVSH-së për periudhën 2014-2016, si dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. lidhur me veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, lidhur me deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI, më datë 12.07.2017, dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
6. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm duke u dënuar përfundimisht i pandehuri A.H., me 1 (një) vit burgim;
7. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin A.H., duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh;
8. Urdhërohet i pandehuri A.H. t’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës gjatë kohës së provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
9. Një kopje e vendimit i dërgohet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë dhe Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës të vendbanimit të të pandehurit.
10. Shpenzimet gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit i ngarkohen të pandehurit.
11. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes e njoftimit të vendimit të arsyetuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
1. Prishjen e vendimitnr. 4, datë 24.01.2024,të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pikat 1 dhe 4, të dispozitivit të tij dhe pushimin e çështjes për këtë pjesë;
2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 4, datë 24.01.2024,të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pikat 2, 3 dhe 5, të dispozitivit të tij;
3. Ndryshimin e vendimit nr. 4, datë 24.01.2024,të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,në pikat 6 dhe 7 të dispozitivit të tij, si më poshtë:
- Në aplikim të nenit 55, paragrafi 3, të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri A.H., me 6 (gjashtë) muaj burgim;
- Në aplikim të nenit 59, paragrafi 3, të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin A.H., duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 1 (një) viti;
4. Shpenzimet procedurale edhe të gjykimit në apel i ngarkohen apeluesit;
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij./ZËRI