Aktualitet

Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh, SPAK "zbarkon" në rezidencën e Ron Yeffet, sekuestro edhe tek Ministria e Mbrojtjes

Kontrollet janë zhvilluar në kuadër të hetimeve që lidhen me disa akuza dhe audopërgjime të bëra publike nga ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj në lidhje me trafikun e armëve.

zh.ll
Denoncimet e Ahmetajt për trafik armësh, SPAK "zbarkon"
foto ilustrim: ron yeffet-arben ahmetaj-ermal nufi

TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në periferi të Tiranës. Sipas burimeve, kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh lidhur me praktikën e tenderëve.

Kontrollet janë zhvilluar në kuadër të hetimeve që lidhen me disa akuza dhe audopërgjime të bëra publike nga ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj në lidhje me trafikun e armëve.

Çfarë deklaroi Arben Ahmetaj 

“Është vetëshpjeguese. Jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe jo në kuadër të marrëveshjes, në sytë e NATO-s, që ka Shqipëria me Ukrainën. Jo. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës, që do paketohen në Shqipëri, ose që paketohen në Shqipëri, dhe që pastaj marrin rrugën... Jemi duke folur për trafik të pastër armësh”, deklaroi Ahmetaj.

Bëhet fjalë për një material përgjimi rreth 3 orë në Monako, ku amerikano-izraeliti, Ron Yeffet është një prej personave kryesorë të përmendur. Në biseda, sipas materialit të publikuar nga Ahmetaj, Yeffet komunikon me persona të tjerë për kompani, tenderë, pajisje ushtarake. Gjithashtu, sipas Ahmetaj, bisedat tregojnë marrëdhëniet me institucionet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera dhe rolin që kanë pasur.

Në një prej sekuencave të publikuara, Ahmetaj ka veçuar një bisedë ku, sipas tij, diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.

Ahmetaj foli edhe për tenderët publikë, ku sipas tij hynte në rol edhe "Ermal Raketa", duke iu referuar ministrit Ermal Nufi. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 14.4 milionë euro për avionë zjarrfikës, për të cilin Ahmetaj ngre pikëpytje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe personat që, sipas tij, lidhen me të./ZËRI

Poll

MOS HUMB