SHKODËR- Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i RENEA-s në Dobraç të Shkodrës. Operacioni është zhvilluar edhe në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rranxë të Bushatit më 23 Gusht 2024, ku u godit me armë autmojeti i blinduar “Audi A8”, me të cilin dyshohet se udhëtonin Samuel Troshani dhe Izmir Sakica.
Këta dy të fundit janë me masë sigurie të kërkuar nga SPAK dhe me miratim të GJKKO-së, për këtë ngjarje, masë e cila është komunikuar këtë të martë në burgun e Reçit, ku mbahen që pas vetëdorëzimit për përplasjen dhe kanosjen me armë të një anëtari të familjes Bruçi. Për përplasjen me armë në Bushat, për të cilën janë firmosur masa sigurie, më herët u shpallën në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi dhe shtetasi Pjetër Dragoti.
Çfarë ndodhi me "Audin" e blinduar me 23 gusht?
Sipas burimeve të policisë kriminale në Shkodër, automjeti tip “Audi” me targa gjermane, i cili është gjetur i braktisur në vendin e ngjarjes, ka të dhëna se është përdorur për një kohë nga Eljo Hato, person ky i shpallur në kërkim nga SPAK-u, lidhur me ngjarjen e plagosjes së Taulant Pepaj në muajin shkurt 2021 në Shkodër. Por ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shkodrës.
Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim vëllezërit Andrea e Aleksandër Prendi. Mësohet se i përfshirë në ngjarje ka qenë dhe një kushëri i vëllezërve, i cili po ashtu është shpallur në kërkim. Mendohet se njëri prej tyre ka qëlluar nga një motorr me automatik kallashnikov në drejtim të mjetit të blinduar tip Audi, ndërsa të tjerët kanë qenë në një mjet tip BMW, që aktualisht është sekuestruar nga Policia. Autoritet kanë dyshime konkrete se mes palëve ka pasur edhe shkëmbim zjarri./ZËRI