
VLORË- Policia e Vlorës ka zhvilluar një aksion blic në zonën e Lungomares. Mësohet se deri më tani një person është shoqëruar nga autoritetet, pasi dyshohet të jetë i rrezikshëm. Sipas dëshmitarëve, efektivët e policisë me maska dhe me armë kanë shoqëruar menjëherë në makinë personin e dyshuar, emri i të cilit nuk bëhet me dije. Gjithashtu janë zhvilluar edhe kontrolle në banesat e personave të ndryshëm me precedent kriminal, personave të shpallur në kërkim dhe në ato që kanë qarkulluar me armë dhe automjete të vjedhura.
Deri më tani Policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare rreth këtij operacioni, ose nëse ka lidhje me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur kohët e fundit në këtë qytet. Kujtojmë se një muaj më parë në zonën e Novoselës në Vlorë u vra 30-vjeçari Kristjan Marku.
Për këtë vrasje deri më tani është arrestuar 36-vjeçari Erald Cenaj nga Kukësi, pasi akuzohet se ka siguruar automjetin për vrasjen e të riut. Po ashtu, dhjetorin e kaluar u plagos me armë zjarri 30-vjeçari Kevin Hajrulla, kushëriri i Inez Hajrullës, gjatë këtij atentati mbeti i plagosur dhe 35-vjeçari Armand Spahiu, tregtar i frutave perimeve./ZËRI