DURRËS-Tre drejtues së Policisë së Durrësit janë pezulluar nga detyra për performancë të dobët, pas aksidentit të rëndë ku dy fëmijë të moshë 10 dhe 12 vjeç humbën jetën dhe një tjetër u lëndua. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Afrim Tafa do të zëvendësohet përkohësisht në detyrë me Ervin Hodajn.
Po ashtu është ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Një hetim disiplinor ka nisur për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast.