DURRËS- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të policisë, lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër. Siç bën me dije AMP, sipas pretendimevetë qytetarëve, policia nuk ka reaguar në kohë ndaj sinjalizimeve dhe denoncimeve të vazhdueshme për qarkullimin e mjeteve me shpejtësi të lartë në këtë zonë.
Sakaq, AMP pritet të verifikojë nëse ka shkelje të detyrës nga ana e efektivëve dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve.
“Ngjarja e rëndë ka ngritur dyshime mbi reagimin e strukturave policore dhe nëse janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e rrezikut, pavarësisht denoncimeve të mëparshme të banorëve. AMP pritet të verifikojë nëse ka shkelje të detyrës nga ana e efektivëve të policisë dhe nëse janë ndjekur procedurat për trajtimin e ankesave të qytetarëve, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përgjegjësive ligjore ndaj personave përgjegjës”, thuhet ne njoftimin e AMP.
Një ditë pas aksidentit tragjik të shkaktuar nga 57-vjeçari i dehur Nikoll Radaçi, kryepolici Skënder Hita pezulloi nga detyra deri në përfundim të hetimeve zinxhirin komandues të policisë Durrës.
Konkretisht, tre drejtues së Policisë së Durrësit janë pezulluar nga detyra për performancë të dobët, pas aksidentit të rëndë ku dy fëmijë të moshë 10 dhe 12 vjeç humbën jetën dhe një tjetër u lëndua.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo./ZËRI
