
TIRANË-Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa, është paraqitur sot (4 prill) në Prokurorinë e Posaçme. Xoxa mbërriti në ambientet e SPAK e në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Ajo ka qëndruar vetëm pak minuta dhe është larguar pa u prononcuar për gazetarët.
Bashkëshortja e Erion Veliajt akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Gjatë seancës së kaluar Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj dhe ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoca nga 'arrest shtëpie' në "detyrim paraqitje". SPAK akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF./ZËRI