Aktualitet

Aida Hajnajt i mbaron mandati në gusht, SPAK çel garën për drejtuesin e ri të BKH

Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar ka njoftuar çeljen e procedurës së riemërimit të pasuesit të saj në detyrë.

k.m.
Aida Hajnajt i mbaron mandati në gusht, SPAK çel garën për
Aida Hajnaj

TIRANË- Mandati i drejtueses së re të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnajt, është drejt përfundimit. Në këto kushte, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar ka njoftuar çeljen e procedurës së riemërimit të pasuesit të saj në detyrë. Për të gjetur emrin e dytë në krye të BKH-së, është ngritur Komisioni i Përzgjedhjes me në krye drejtuesin e SPAK, Altin dumanin dhe prokurorët Arben Kraja e Behar Dibra. Në njoftimin e bërë nga SPAK janë listuar edhe kushtet. Kandidatët kanë kohë deri më 7 maj që të dorëzojnë dokumentacionin e tyre dhe më pas, do të kryhen të gjitha procedurat e tjera.

Aida Hajnaj mori zyrtarisht detyrën më 1 shtator 2020 dhe mandati i përfundon në muajin gusht. Pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së, e cilësuar ndryshe si FBI-ja shqiptare. Asokohe, Hajnaj mbante postin e zv.drejtores së Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hajnaj mori detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Bashkë me të garuan edhe Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Kandidatëve iu bë "vettingu", një test me shkrim dhe fizik, e po ashtu edhe testi i së vërtetës (poligrafi).

Njoftim mbi proçesin e riemërimit të Drejtorit të BKH-së:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar njofton çeljen e procedurës së riemërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në përputhje me ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” neni 33 pika 2, ligjin nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, neni 42 germa (a), me urdhërin nr.11794, datë 07.04.2025, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka ngritur Komisionin e Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i përbërë nga z.Altin Dumani, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorët e posaçëm z.Arben Kraja e z.Behar Dibra. Referuar dispozitave ligjore përkatëse, të drejtën për të aplikuar në pozicionin e Drejtorit të BKH-së, e kanë vetëm kandidatët që janë shtetas shqipëtar, që gëzojnë cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotësojnë kriteret si vijon: ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor; ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit; ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda; nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”; të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji; nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit; ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi; ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit; të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent; në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme; të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes; Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm brenda datës 07 maj 2025 që vërteton plotësimin e të gjitha kushteve që parashikohen në nenet 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016.

Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Sektorit të Arkiv-Protokollit të Drejtorisë së Dokumentacionit dhe Burimeve Njerëzore të Prokurorisë së Posaçme në një zarf të mbyllur, i cili i drejtohet Komisionit të Përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Referuar ligjit nr.95/2016, procesi i riemërimit do të kryhet duke kaluar në shtatë (7) faza si vijon: Shqyrtimi i aplikimit; Testi i arsyetimit logjik; Kontrolli mjekësor; Testi fizik; Ese me shkrim; Intervistë; Verifikim figure, deklarim i aseteve dhe testi i poligrafit; Komisioni i Përzgjedhjes pasi verifikon dhe vlerëson nëse përmbushen kriteret sipas neneve 34 dhe 38 të ligjit nr.95/2016, vendos nëse do të vijojë ose jo me rekomandimin për procedurën e riemërimit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB