Aktualitet

Ryshfet që të mos i arrestonin gruan që shkaktoi aksident, GJKKO lë në burg 2 shefat e Rrugores

Në seancën e sotme, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar masën "arrest me burg" për të tre zyrtarët e Policisë.

k.m.
Ryshfet që të mos i arrestonin gruan që shkaktoi aksident, GJKKO
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg shefin e Policisë Rrugore Roven Zeka dhe kolegët e tij, Sokol Novakut dhe Edison Tabakun. Në seancën e sotme, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar masën "arrest me burg" për të tre zyrtarët e Policisë, e cila u pranua nga GJKKO. Ata akuzohen nga SPAK për veprën penale të korrupsionit. Kjo për shkak se akuzohen se kanë kërkuar dhe marrë pagesën 2 mijë euro nga biznesmeni Erges Vrioni, për të mos i arrestuar bashkëshorten që kishte shkaktuar një aksident.

Sipas dosjes hetimore, duke qenë se polici Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar para për të mos e arrestuar të shoqen, Anisa Vrionin. Kështu, biznesmeni i ka dhënë 1000 euro Tabakut pranë banesës së tij. Më pas, vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të Policisë Rrugore duke i kërkuar edhe para të tjera me pretendimin: Kam edhe të tjerë mbi kokë! Duke nënkuptuar kështu eprorët e tij.

Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku, ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen.

Bazuar në këto zhvillime, më 21 prill, Strukturës së Posaçme ka "prerë" urdhër arresti.

Urdhri i ndalimit të drejtorit të Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefi i Sektorit të Aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku dhe Oficerit të Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro./ZËRI

Poll

MOS HUMB