Aktualitet

A foli vërtetë Bardhi me Ervis Martinajn? SPAK bën SQARIMIN: Ishin të sajuara! Kujdes nga këto mesazhe, ne po kërkojmë autorët

SPAK ka sqaruar se mesazhet janë manipuluar dhe nuk janë të vërteta. Por, mesa duket nuk janë mjaftuar vetëm me sqarimin.

k.m.
A foli vërtetë Bardhi me Ervis Martinajn? SPAK bën SQARIMIN:
Gazment Bardhi

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar; bisedat që iu dërguan me mesazh kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit nuk janë të vërteta. Me një njoftim zyrtar, SPAK ka sqaruar se mesazhet janë manipuluar dhe nuk janë të vërteta. Por, mesa duket nuk janë mjaftuar vetëm me sqarimin. Prokuroria e Posaçme ka lajmëruar se ka nisur verifikimet për të gjetur autorin e falsifikimit të këtyre mesazgeve. Po ashtu, kërkon që publiku të ketë kujdes nëse bien në kontakt me materiale të ngjashme.

"SPAK po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara,"-bëhet me dije në njoftimin e SPAK.

NJOFTIM PËR SHTYP:

Datë 09.10.2024

(Shpërndarja e dezinformatave përmes aplikacionit Signal)

Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal. Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara.

Mesazhet mes Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit janë të falsifikuara. Kështu edhe lajmëroi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi pasi doli nga SPAK. Sipas tij, Altin Dumani dhe Alfred Shehu e kishin siguruar se dokumenti nuk ishte i formatit që SPAK përdor për të zbardhur përgjimet e aplikacionit "SkyECC". Paralelisht në media është zbuluar se emrat dhe firmat e oficerëve të Policisë Gjyqësore, Joni Keta dhe Ermal Hasa, janë marrë "copy-paste" nga dosja “Metamorfoza”, të cilën tashmë SPAK e ka dorëzuar në gjykatë për shqyrtim gjyqësor. Për të zbuluar më shumë detaje se kush fshihet pas adresës "Mbreti Zog", Bardhi gjithashtu njoftoi se ka lënë telefonin e tij personal në SPAK. Po ashtu, shtoi se ka pasur edhe persona të tjerë që janë shantazhuar në të njëjtën mënyrë, por kanë zgjedhur që të mos i bëjnë publike rastet e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB