BRUKSEL-Bashkimi Europian ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, ku katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vite burg. BE u ka bërë thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë e rajon që të tregojnë përmbajtje, ndërsa rikujton se personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë vendimin përpara gjyqtarëve të pavarur të Apelit, në një Kolegj të veçantë.
Në reagim Brukseli theksoi se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të jenë në gjendje ta kryejnë mandatin e tyre pa ndërhyrje, duke nënvizuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e saj, veçanërisht në interes të viktimave.
Reagimi i BE: Dhomat e Specializuara të Kosovës ushtrojnë drejtësi përmes zhvillimit të procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe akterëve, në Kosovë dhe rajon, për përmbajtje. BE-ja rikujton mbështetjen e saj të gjatë për DHSK-në si një institucion të themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që vepron brenda sistemit ligjor të Kosovës.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Kos thekson se vendimet e kësaj gjykate duhet të respektohen, duke nënvizuar se çështja lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre.
"Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me llogaridhënien individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm nëpërmjet pajtimit vendet e rajonit mund të kapërcejnë përçarjet dhe të përparojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE." tha Kos në reagimi e saj në "X".
The Kosovo Specialist Chambers is an impartial and independent judicial body. Its judgments must be respected and the convicted have the right to appeal. This is about individual accountability and justice for victims and their families from all communities in Kosovo. I call on actors in the region to help heal the wounds of the past. Only through reconciliation can the countries of the region overcome divisions and advance towards a common future in the EU.
— Marta Kos (@MartaKosEU) September 16, 2026
Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Reagimi i tij erdhi pasi përfaqësuesja e Bashkimit Europian, Marta Kos, kërkoi respektimin e vendimit të gjykatës, duke theksuar se Dhomat e Specializuara janë një institucion i pavarur dhe se të dënuarit kanë të drejtën e apelit.
Përmes një postimi në platformën “X”, Grenell kundërshtoi qëndrimin e Kosit dhe kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke kërkuar ndërprerjen e financimit për këto gjykata, të cilat ai i cilësoi si “radikale”.
"Jo. Të mbash dikë në burg për gjashtë vjet për diçka që pretendohet se ka ndodhur 25 vjet më parë, është e turpshme. Evropa duhet t'i reformojë institucionet e saj dhe politikat e saj. Kjo nuk është drejtësi; është aktivizëm i elitave. Është një tjetër njollë për Evropën. Financimi për këto gjykata radikale duhet të ndërpritet menjëherë", shkroi ai.
Nope. 6 years of holding someone in prison for something you say happened 25 years ago is shameful. Europe needs to reform its Institutions - and its policies. This isn’t justice it’s activism from elites. It’s another stain on Europe. These radical courts must be defunded immediately.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) September 16, 2026
Mbretëria e Bashkuar ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj për Kosovën. Ministri britanik për Evropën, Stewart Wood, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbetet “mike dhe partnere e afërt” e Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet mike dhe partnere e afërt e Kosovës, duke mbështetur fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, si dhe paqen në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Wood.
Wood kujtoi gjithashtu rolin e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të NATO-s gjatë ndërhyrjes së vitit 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
“Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, tha ai.
Sa i përket aktgjykimit, Wood e cilësoi atë si një moment të rëndësishëm, duke theksuar se gjetjet e gjykatës lidhen me individë dhe nuk përbëjnë gjykim mbi shtetësinë e Kosovës. Ministri britanik u bëri thirrje liderëve politikë dhe figurave publike që të promovojnë qetësinë dhe të sigurojnë që reagimet ndaj vendimit të jenë paqësore.
“Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensionet ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin”, thuhet në reagim.
Në përfundim, Wood theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vijojë bashkëpunimin me partnerët në rajon për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet.
Sa i përket vendimit, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite.