HAGË-'Ju shpall fajtor', kjo ishte fjalia që shuajti shpresën e ish-krerëve të UÇK-së, qytetarëve të mbledhur në Hagë dhe shqiptarëve të mbledhur në sheshin e Prishtinës. Imazhet më poshtë tregojnë reagimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, pasi u shpallën fajtorë.
Edhe pse secili prej dënimeve kalonte 10 vite burg, ish-krerët e UÇK-së, me kufje në vesh e pritën të qetë vendimin e tyre. Më poshtë shihet qëndrimi që mbajti ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pasi u dënua me 25 vite burg, për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkohë Kadri Veseli ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pa me një nënbuzëqeshje teksa u njoh me vendimin ndaj tij. Veseli u dënua me 18 vite burg.

Rexhep Selimi i cili më herët kishte deklaruar se ka luftuar që Kosova të jetë e lirë dhe nuk është penduar për asnjë ditë që e kishte kaluar në fronte të luftës, trupi gjykues në krye me Charles Smith III, e shpallën fajtor me 13 vjet burgim.

Nga ana tjetër Jakup Krasniqi, i cili u dënua njejtë si Thaçi me 25 vjet burg, u pa i ulur mirë mes sallës dhe i qetë. Trupi gjykues deklaroi se Krasniqi është fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor si krim lufte ndaj 49 personave, torturë si krim lufte ndaj 49 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.