HAGË-Pas seancës gjyqësore, ku u shpall vendimi 81 vite burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është publikuar aktgjykimi i plotë Gjykatës Speciale në Hagë. Sipas vendimit, të katër të akuzuarit janë shpallur penalisht përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën ndaj 303 personave dhe vrasjen e paligjshme të 96 personave.
Trupi Gjykues ka vendosur që Hashim Thaçi të dënohet me 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim. Në dënimet e shqiptuara është llogaritur edhe koha që katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar në paraburgim.
Për Hashim Thaçin, gjyqatari Charles Smith tha se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar.
Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe "mori pjesë dhe inkurajoi krimet".
Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.
Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t'i parandaluar./ZËRI