TIRANË- Pasditen e kësaj të enjteje u numëruar dita e 61-të e protestës qytetare, e cila vijon prej dy muajsh.
Qytetarët u mblodhën në sheshin ‘Skëndërbej’ si në ditët e mëparëshme, ku më pas nisën tubimin drejtë kryeministrisë duke përshkuar ‘Bulevardin Dëshmorët’ e kombit me pankarta dhe thirrje për largimin e Ramës nga qeveria.
Në këtë protestë janë mbledhur qytetarë të grupmoshave të ndryshem me një qëllim të përbashkët.
Si në netët e kaluara edhe mbrëmjen e sotme qytetarët do të mbajnë fjalimet e tyre përpara godinës së kryeministrisë. Ku më pas protesta do të mbyllet me marshimin e qytetarëve në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI