VLORË- Një automjet u përfshi nga flakët pasditen e kësaj të enjteje në fshatin Novoselë, duke u shkrumbuar pothuajse tërësisht.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur si pasojë e një defekti elektrik në pjesën e motorit. Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse për të vënë situatën nën kontroll.
Fatmirësisht, drejtuesi i automjetit arriti të dilte nga mjeti sapo vuri re tymin dhe flakët, duke shmangur çdo rrezik për jetën. Si pasojë e ngjarjes nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Në vendngjarje mbërritën edhe shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e rastit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar zyrtarisht shkakun që çoi në përfshirjen e automjetit nga flakët./ZËRI