
TIRANË- Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me denoncimin dhe njoftimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ku thuhet se një 14-vjeçar është dhunuar gjatë qëndrimit në Komisariatin nr.1. Komiteti në një deklaratë zyrtare pretendon se prindërit e të miturit kanë bërë ankesë pranë tyre me pretendimin se i biri është dhunuar nga efektivët që e kishin shoqëruar për shkak se kishte hedhur disa kapsolla në zonën e Kodrave të Liqenit në Tiranë.
Në lidhje me rastin Policia e Tiranës bën me dije se lidhur me pretendimet e prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit ka nisur hetimi disiplinor për dy inspektorë të komisariatit dhe nënkomisaren. Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me datë 15.04.2025, ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ngjarja është regjistruar më 12 prill, ku i mituri është shoqëruar në këtë komisariat mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës. Ai është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Në lidhje me rastin Erinda Skëndaj, drejtoresha e Komitetit të Helsinkit deklaroi se sipas raportit të ekspertizës, i mituri është goditur me grusht në fytyrë. Skëndaj thekson se efektivët edhe pse e evidentuan shenjën e dhunës në fytyrën e të miturit nuk e çuan për ta vizituar në ndonjë spital publik apo ta vizitonte mjeku që ndodhet në Komisariat.
"Denoncimi ka ardhur nga të dy prindërit para disa ditësh me anë të një emaili për ngjarjen e ndodhur. Kanë përcjellë fakte dhe të dhëna, epikrizën mjekësore e të miturit që është mbajtur në spitalin e Traumës. Gjithashtu kanë paraqitur edhe një kallëzim i cili është bërë te APM për hetimin e efektivëve. Sapo kemi marrë këtë informacion, Komiteti i Helsinkit në përputhje me misionin e tij ka dërguar 2 vëzhgues për të bërë një verifikim në terren. Ngjarja ka ndodhur më 12 prill, ndërkohë ne e kemi bërë verifikimin të hënën. Të dhënat verifikojnë se i mituri, 14 vjeç, ka pasur shenja dhune në pjesën e syrit të tij, për të cilat sipas verifikimeve që kemi bërë rëndojnë dyshime serioze që këto akte dhune mund të jenë bërë nga tre efektivët që kanë bërë shoqërimin e të miturit Prindërit e të miturit deklarojnë se kanë qenë këta efektivë me grushta, shpulla apo dhe me fjalë ofenduese e kanë dhunuar të miturin. Shkelja më serioze është që efektivët edhe pse e kanë evidentuar shenjën e dhunës i mituri nuk është vizituar nga mjeku në Komisariat ose në një spital publik. Shkelja e dytë është mungesa e psikologut gjatë qëndrimit të të miturit në Komisariat. Evidentimi i shënjës së dhunës është bërë te Trauma nga institimi i prindërve. Trauma pohoi se shenjat janë shkaktuar nga shenjat e dhunës. Epikriza nga ky spital thotë se është goditje me grushta. Kur një i mitur shihet me shenja dhune nuk mund të mbahet në komisariat. Ne nuk do ta kishim mësuar nëse prindërit nuk do na kishin njoftuar. Kjo gjë kërkon një monitorim më të shtuar nga strukturat e policisë së shtetit që të parandalohen ngjarje të tilla,"-tha ajo për Report.Tv.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:
Në lidhje me një njoftim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, është dhunuar një i mitur i ndaluar, sqarojmë:
Me datë 12.04.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, 14-vjeçarin që pretendon se është dhunuar, mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta. Për këtë shtetas Policia referoi materialet në Prokurori, ku u vendos procedimi i tij në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Për këtë rast është dhënë njoftim në përmbledhjen ditore të qarkut Tiranë, më datë 13.04.2025.
Në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me datë 13.04.2025, ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për:
-Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me datë 15.04.2025,ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.
Theksojmë se strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Policisë së Tiranë janë maksimalisht të angazhuara për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtij rasti dhe për të reaguar shpejt, me paanësi dhe konform ligjit, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësve./ZËRI