
TIRANË- Është zbardhur pas shtatë vitesh vrasja e Antonio Karafilit, të riut që u gjet i varur në pemë në Voskopojë, ngjarje që në vitin 2018 u raportua si vetëvrasje. Antonio Karafili, në atë kohë 18 vjeç, rezulton të jetë vrarë nga e dashura e tij, Kejsi Spaillari dhe i dashuri i saj i dytë, Rexhep Vathi.
Nga provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spaillari e kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e të riut. Motivi i krimit dyshohet të ketë qenë fakti se Antonio Karafili kishte rënë në gjurmët e lidhjes paralele të të dashurës së tij. Pas krimit, Spaillari rezulton të ketë emigruar në Kanada ku edhe ka krijuar familje, ndaj pritet që Prokuroria e Korçës të procedojë me urdhër arresti ndërkombëtar për të. Ndërsa Rexhep Vathi vrau veten në gusht të vitit 2024.