
TIRANË-Për herë të dytë, Prokuroria e Tiranës do t'i dërgojë një tjetër letërporosi Sllovenisë, në mënyrë që të marrë informacione lidhur me automjetin që u përdor nga "vëzhguesit" në vrasjen e Brilant Martinajt dhe shokëve të tij. Burime për "Ballkanweb" bëjnë me dije se do të kërkohen informacione të tjera lidhur me mjetin tip "Volkswagen Polo", i cili është kapur nga kamerat e sigurisë pranë zonës ku u vra Martinaj dhe shokët e tij, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Nga mënyra sesi është pozicionuar dhe ka lëvizur mjeti, ka dyshime se brenda mund të ketë qenë një person që kishte si detyrë vëzhgimin e lëvizjeve të nipit të Ervis Martinajt. Për më tepër, pas ngjarjes, mjeti është djegur. Në Kosovë, për të njëjtin automjet është tentuar marrja e dëshmisë së një personi që e ka pasur përkohësisht në pronësi, por ai nuk ka qenë bashkëpunues me autoritetet. Teksa do të priten përgjigjet nga Sllovenia, po hetohet edhe mënyra sesi mjeti ka hyrë në Shqipëri dhe ku është shitur.
Në këtë mënyrë Policia mund të bjerë në gjurmët e autorëve të masakrës së Fushë Krujës. Deri më tani, nuk ka asnjë person që akuzohet lidhur me vrasjen e 3-fishtë./ZËRI