
TIRANË- Vrasja e Martin Canit dhe plagosja e Luis Meçes, ngjarje që ngriti Shqipërinë në protesta, duket se ka dy autorë. Pas denoncimeve të bëra në media dhe nga kryedemokrati Sali Berisha, Kledion Bejkaj është vetëdorëzuar në Policinë e Shtetit, si personi i dytë që ka qëlluar me thikë, në bashkëpunim me Mario Përlleshin. Sipas Berishës, Bejkaj është djali i Maksim Bejkajt që punon si oficer në Byronë Kombëtare të Hetimit, dhe e Nevila Bejkajt që është sekretare në SPAK. Berisha është shprehur se ka qenë kjo arsyeja se përse deri më tani, emri i Kledionit është mbajtur i fshehtë dhe i përjashtuar nga ngjarja. Nga ana tjetër, pas 2 ditësh tentativa, mjeku i spitalit "Hygeia", Dritan Todhe ka lëshuar më në fund epikrizën për nxjerrjen e Përlleshit nga spitali dhe dërgimin e tij në institutin e të miturve në Kavajë. Tashmë Përlleshi dhe Bejkaj do të presin përfundimin e hetimeve për vrasjen e bashkëmoshtarit të tyre. Për vrasjen e Martin Canit janë zhvilluar dy protesta para Ministrisë së Arsimit, por tubimet priten që të vijojnë.