
TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndodhet në burg. Vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, njeriu që ka drejtuar kryeqytetin për 10 vite, doli nga zyra e tij me një dosje në dorë, për tu zhvendosur në qelinë e bllokut të sigurisë në rrugën “Mine Peza”, e më pas për tu zhvendosur në burgun e Durrësit, aty ku tashmë është një sektor i tërë i mbushur me zyrtarë socialiste që janë arrestuar njëri pas tjetrit vitin e fundit.
Veliaj nuk ishte i vetmi. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” edhe bashkëshorten e kryebashkiakut Ajola Xoxa e cila ndodhej jashtë Shqipërisë në ato momente. Kjo masë u zbut më vonë, duke u konvertuar në “detyrim paraqitjeje”.
Në pranga është vënë dhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa pesë biznesmenët e tjerë Gentian Sula; Fatmir Bektashi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi janë lënë në masën “detyrim paraqitjeje”. Të pestë akuzohen se kanë paguar ryshfet në mënyrë që të përfitonin lejet e ndërtimit në Tiranë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj se ka kryer nëntë herë veprën penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".
Edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, ndërsa 5 biznesmenët për veprën penale korrupsion aktiv.
Nën hetim nga SPAK është marrë edhe deputetja socialiste Klotilda Bushka pasi sipas Prokurorisë së Posaçme ka kryer veprime që kanë penguar zbulimin e të vërtetës.
Në dosjen prej 366 faqesh, SPAK shkruan se kryebashkiaku Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë korruptive me qëllim përfitimin e fondeve publike.
Më konkretisht, SPAK thotë se përmes 8 bizneseve dhe OJF të Xoxës dhe të Elman Abules janë gjeneruar të paktën 1.1 mln euro, para që përmes transaksioneve të ndryshme përfundonin në llogaritë bankare të familjes së kryebashkiakut, përmes sponsorizimeve; likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve të pasurive të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme si për shembull një vilë në Qerret tek Kompleksi “Marea Resort”; financime fiktive festivalesh artistike, pagesa udhëtimesh e qëndrime në hotel, etj.
Rol kryesor në këtë skemë sipas SPAK ka pasur dhe biznesmeni Elman Abule me familjarët e tij.
Gjithashtu SPAK ka dalë në përfundimin se Xoxa në një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në vlerën e 86,721,175 lekë, shpenzime këto që nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të.
Në kuadër të këtij aksioni, Prokuroria e Posaçme ka vënë në sekuestro vilën 494 m2 në Qerret, e ndërtuar nga kompania Agi Kons e ndërtuesit Gentian Sula, 2 llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149 Euro dhe para të valutave të ndryshme me vlerë 115 mijë euro, të gjetura në një kasafortë në një prej bizneseve të Xoxës.
Arrestimi i kryebashkiakut Veliaj është shoqëruar me reagime të forta, duke nisur që nga përplasjet në seancë, deri tek reagimet në rrjetet sociale që kanë qenë të shoeshta, edhe pse kreu i Bashkisë Tiranë ndodhet pas hekurave.
Por përplasjet më të forta të Veliajt kanë qenë me prokurorin Ols Dado, i cili ka kryer hetimet bashkë me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Veliaj pretendon se e gjithë dosja është hartuar për shkak të një pakënaqësie që Dado ka pasur kundrejt tij për një leje ndërtimi dhe këtë gjë e ka thënë edhe në sallën e gjyqit.
Por nga ana tjetër, ZËRI ka mësuar se prokurori Dado ka nxjerrë mesazhet që i ka dërguar Veliajt, në të cilat shihet se ai e falenderon.
Përplasje ka pasur edhe për pronësinë e vilës në Qerret, në kompleksin “Marea”.
SPAK pretendon se vila është në pronësi faktike të Veliajt dhe Xoxës, duke e bazuar në pazaret për blerjen e përfitimin e saj, rrobat e djalit të vogël që janë gjetur brenda saj dhe bisedat e gruas së kryebashkiakut.
Sipas SPAK, ndërtuesi Gentian Sula ka treguar se babai i Ajola Xoxës, Arben Xoxa ka blerë fillimisht një apartament 120 metra katrorë në kompleksin “Marea” në Qerret për 80 mijë euro.
Por në vitin 2017 vendosin të shkëmbejnë apartamentin me një vile me pishinë.
Sipas SPAK, vila në fjalë, do të kushtonte afërsisht 500 mijë euro nëse do të dilte në treg, por palët kanë rënë dakort ta shkëmbjne me apartamentin e blerë 80 mijë euro duke shtuar dhe vlerën prej 30 mijë eurosh.
Megjithatë, përtej shkëmbimit, ndërtuesi Sula ka zbuluar në deklatimin e tij se 30 mijë eurot shtesë nuk janë paguar edhe sot e kësaj dite dhe se gjithashtu nuk ekziston asnjë kontratë e noterizuar mes ndërtuesit dhe Arben Xoxës për pronësinë e vilës.
Nga ana tjetër, personi që paguante faturat e administrimit ishte vetë Erion Veliaj.
Këtë gjë e ka konfirmuar vetë administratori i resortit, Maksim Greva, i cili është shprehur se në disa raste ka qenë vetë Erjon Veliaj që bënte pagesat e vilës në lidhje me shërbimet e kompanisë “S&D Invest”. Në vilë janë gjetur edhe shënimet e nënës së Ajola Xoxës, Valbona Xoxës, e cila siç duket raportonte çdo gjë që paguante tek e bija.
SPAK ka bashkangjitur në dosje edhe deklarimet e kompanisë “S&D Invest” në Drejtorinë e Përgjithsme të Tatimeve, ku emri i Veliajt është shkruar si blerës i dy vilave.
Në dosjen e SPAK është shtuar edhe dëshmia e Armand Manahasës, i cili ka qenë shofer it ë ndjerit Arben Xoxa, i cili është shprehur se nuk ka qenë kurrë në këtë vilë para vitit 2019.
Vetë kryebashkiaku pretendon se vila është e babait të bashkëshortes së tij, Arben Xoxa dhe se shoferi nuk ka qenë në dijeni pasi kishte vetëm katër muaj që kishte filluar punë, në kohën që Xoxa ishte sëmurë. Dhe për ta vërtetuar këtë gjë, Veliaj ka postuar dhe një foto që sipas tij daton në vitin 2018, në të cilën Arben Xoxa shihet duke drekuar me familjen. Përsa u përket rrobave të djalit, kryebashkiaku thotë se është shumë normale të gjenden gjërat e nipit në shtëpinë e gjyshërve.
Garderoba e Ajola Xoxës është gjithashtu një nga pikat ku sërish ndahen kryebashkiaku Veliaj dhe SPAK.
Prokuroria e Posaçme pretendon se Xoxa ka shpenzuar mbi 869 mijë Euro në blerje online, si veshje e bizhuteri, por çifti Veliaj-Xoxa e mohojnë në mënyrë kategorike këtë gjë.
Sipas Veliajt, blerjet e Xoxës janë shumë herë më pak nga çfarë shkruhet në dosje dhe janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të bashkëshortes së tij. Edhe vetë Xoxa, deklaroi se në total në 10 vitet e fundit ka shpenzuar 75 mijë euro për blerje online, të cilat pretendon se i justifikon me punën e saj si avokate dhe jo vetëm, si dhe me të ardhura që ka pasur nga familja, që e përshkruan si me mundësi shumë të mira financiare, falë të cilëve edhe është shkolluar në Romë dhe Paris.
Diçka tjetër që ka sjellë përplasje mes organit të akuzës dhe Veliajt është se në faqen e parë të dosjes kreu i Bashkisë Tiranë ishte shënuar si person ‘i dënuar’. Këtë gjë, Veliaj e konsideroi një skandal, ndërsa prokurori, një lapsus.
Megjithatë, çështja e Veliajt nuk ka mbetur vetëm mes tij dhe SPAK. Reagimet në fushën politike nuk kanë munguar. Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar dosjen prej afro 400 faqesh një roman pa asnjë provë në të cilën mund të mbështeten akuzat kundrejt kryebashkiakut Veliaj. Reagime ka pasur edhe nga Partia Demokratike. Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Ramën për një “pazar” politik. Sipas tij kryeministri ka bërë shkëmbimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj me Olsi Ramën.
Ndërsa KLP dhe KLGJ kanë kërkuar që “të gjithë aktorët” të respektojnë integritetin profesional të prokurorëve e magjistratëve e të mos ushtrojnë presion mbi ta.
Tashmë pritet përballja në Apel për të parë nëse Erion Veliaj që ka ankimuar në Apel masën e sigurisë “arrest me burg” do të lirohet për tu kthyer në Bashkinë e Tiranës, apo do të vijojë mbrojtjen e tij nga qelia…/ZËRI