
TIRANË- Bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa ka bërë reagimin e parë një javë pas arrestimit të tij. Në një postim në rrjetet sociale, Xoxa shkruan se shifrën mbi 800 mijë euro që sipas SPAK, ajo e ka shpenzuar për të blerë veshje dhe bizhu online, e ka dëgjuar për herë të parë pas publikimit të dosjes. Ajola Xoxa thekson se kurrë nuk ka bërë blerje me shifra të tilla. Gruaja e kryebashkiakut Veliaj shprehet se ka harxhuar 75 mije euro në 10 vite, para që i justifikon me punën e saj si avokate dhe jo vetëm. Ajo gjithashtu paralajmëron përballje deri në Strasburg.
Pjesë nga reagimi i Ajola Xoxës:
Jam gati që nga sot dhe në ditët në vijim, të sqaroj me detaje të imta, narrative dhe financiare, dhe me përgjegjësi të plotë publike apo ligjore, të gjithë këtë bllof të dhunshëm, të cilin do ta përball deri në Gjykatën e Strasburgut me pafajësinë time të plotë. E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustanë dhe bizhu. Totali i blerjeve të mia online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total. E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustanë dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale. Unë nuk njoh zbavitje tjetër përveç punës sime.