
ITALI- Kalvari i Simone Del Vecchios nisi i gjithi më 13 mars, ditën kur 37-vjeçari nga Barletta, me profesion dizajner web, vendosi t'i nënshtrohej trajtimit dentar në një klinikë shqiptare në Tiranë për vendosjen e protezave në të dy harqet si dhe për të rregulluar disa dhëmbë që i mungonin. Ajo që ndikoi në zgjedhjen për të shkuar në Shqipëri ishte një reklamë që premtonte rezultate të shkëlqyera me çmime konkurruese. Menjëherë pas operacionit, ai u ndje i sëmurë dhe pësoi katër arreste kardiake. Në tetë muaj, Simone shkoi nga reanimacioni i spitalit të Tiranës në atë të Poliklinikës së Barit dhe më pas përfundoi në Casa Sollievo della Sofferenza në San Giovanni Rotondo ku ndodhet aktualisht në spital.Vëllai i tij binjak, Marco Del Vecchio rrëfen për Corriere Della Sera se Simone, në këto ditë, në fakt do t'i nënshtrohet një operacioni të ri këtë herë për të zgjidhur një stenozë trakeale që i ndalon frymëmarrjen, ndoshta të shkaktuar nga intubimi i zgjatur.
Marco tregon se më 13 mars Simone mbërriti në Tiranë me nënën e tij dhe se në orën 14:00 të asaj dite ai iu nënshtrua operacionit me heqjen e të gjithë dhëmbëve në një seancë të vetme dhe futjen e njëkohshme të implanteve në të dy harqet. Njëzet dhëmbë iu hoqën të gjithë menjëherë. Ata administruan katër anestezi të mishrave të dhëmbëve dhe qetësim të lehtë të përgjithshëm pa kryer teste parandaluese, si dhe antibiotikë, anti-inflamatorë dhe qetësues kundër dhimbjeve. Nëna e dëgjonte Simonen teksa ulëriste në dhomën ngjitur.
Pas ndërhyrjes që zgjati deri në 18:00, Simone u sistemua në një dhomë, por pasi piu vetëm një gllënjkë ujë pësoi arrestin e tij të parë kardiak, i cili u pasua nga tre të tjerë.
Më pas ai u dërgua në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Aty iu nënshtrua një operacioni kardiak me vendosjen e stentit koronar pasi nga analizat e bëra kishte dalë edhe një patologji e lindur, përkatësisht stenoza koronare. Ai kaloi tetë ditë në terapi intensive në Tiranë dhe më 21 mars e çuam me ambulancë në Poliklinikën e Barit në reanimacion.
Simone ra në koma të shkaktuar nga mjekimet e marra për më shumë se një muaj deri më 1 maj kur filloi të shfaqte disa shenja shërimi, por kishte probleme me kujtesën.
Në fillim të qershorit ai u transferua në departamentin e sëmundjeve infektive për shkak të një infeksioni bakterial ngjitës, Candida auris, i cili e vonoi edhe më shumë shërimin e tij, pasi nuk mundi t'i nënshtrohej rehabilitimit. Këtu ai qëndroi deri më 27 shtator, ditën në të cilën u dërgua në San Giovanni Rotondo. Simone ishte një djalë vital, me shumë miq, i pëlqente të dilte dhe të shijonte jetën, por sot ai pret t'i nënshtrohet një operacioni tjetër. Ndërsa familja ka nisur procedurat ligjore për vënien para përgjegjësisë të klinikës dentare në Shqipëri.