Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta për një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve në Shqipëri, teksa publikoi përgjime që implikojnë zyrtarë dhe struktura të lidhura me shtetin. Në një intervistë për emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj pretendoi se pas disa projekteve dhe kompanive që operojnë në Shqipëri mund të fshihet një rrjet i trafikut ndërkombëtar të armëve. Sipas tij, armët vijnë nga vende të Afrikës, paketohen në Shqipëri dhe më pas transportohen drejt destinacioneve të ndryshme. Lidhur me këtë, Ahmetaj ka kërkuar që të verifikohet edhe një rast të cilin ai e lidh me kapjen në Itali të një furgoni me raketa. Sipas tij, ky episod mund të çojë në të dhëna të tjera mbi një aktivitet të dyshuar të trafikut të armëve. Deklarata e Ahmetajt i referohet një rasti të raportuar në Itali, të datës 28 gusht, ku një 46-vjeçar francez u arrestua në Portin e Barit pasi në furgonin e tij u gjetën të fshehura sisteme dhe raketa antitank. Për këtë rast, Ahmetaj kërkon të verifikohet, me pretendimin se mund të fshihen të dhëna të tjera për trafikun e armëve.
/ZËRI