
TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar katër vite burg për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka. Me gjykimin e shkurtuar Zarka do të përfitojë ulje dhe nëse Gjykata do të pranojë kërkesën e SPAK, Zarka do të qëndrojë tre vite në qeli.
Nga ana tjetër, GJKKO ka veçuar dosjen për tre persona të tjerë, përfshirë ish-oficerin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Erjona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, pasi ata janë ende në kërkim dhe nuk janë arrestuar. Zarka dhe tre të tjerët akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve dhe lehtësuar të akuzuarit e dosjes së parë, të grupit që po kontrabandonte nëpërmjet linjës Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri rreth 3,4 mln euro, para që erdhën të futura në thasë e të fshehura në makina “Toyota Yaris”, që importoheshin dhe shiteshin në vendin tonë. Astrit Vladi akuzohet si personi që ka përfituar nga këto ndikime. Ai ishte marrë i pandehur për dosjen e 3,4 mln eurove bashkë me kushëririn e tij, Elvis Vladi. SPAK i akuzon zyrtarët edhe për favorizim të Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. Hetimet ndaj tyre nisën mbi bazën e të dhënave nga SKY ECC që autoritetet franceze iu vendosën në dispozicion SPAK, në të cilat u zbuluan komunikimet e të pandehurve, mes tyre dhe të Zarkës.