
LUSHNJË- Marin Leka, 38 vjeç është arrestuar në Lushnjë pasi dyshohet se i premtoi para një personi për t’i marrë votën. Gjithçka nisi pas denoncimit në komisariat të qytetarit Muharrem Toska, se një person i quajtur Marin Leka me banim në Lushnjë, i kishte premtuar t’i jepte 50 mijë lekë të reja nëse ai dhe familja e tij, votonin më 11 maj koalicionin “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Si "garanci" i kishte marrë kartën e tij të identitetit, që u gjet në banesën e Lekës. Vetë i arrestuari Marin Leka mësohet se e ka pranuar që ka marrë kartën e qytetarit, e cila iu gjet në banesë, me premtimin se do i jepte para në këmbim të votës, por nuk ka treguar se për cilin subjekt politik e kërkoi votën e tij dhe të familjes. Pretendimet se vota do të shitej për Partinë Demokratike i ka hedhur poshtë selia blu që i ka konsideruar mashtrime. Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarët tha se këto ngjarje janë të stimuluara nga kryetarja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe ish-kryepolici Ardi Veliu. Për Berishën, personi që ka kryer denoncimin është rekrutuar prej tyre.
/ZËRI