
SHKODËR-Bisedat e zbardhura nga aplikacionet e koduara, që janë përdorur nga njerëz të biznesit, politikës, drejtësisë dhe krimit, nxjerrin në pah detaje skandaloze se si ndodhin emërimet e drejtuesve, qoftë edhe në radhët e policisë së shtetit. Gazetari Elton Qyno, ka publikuar së fundi biseda mes personazheve të botës së krimit në Shkodër, dhe manovrave që ata kanë përdorur për të çuar në poste drejtuese të policisë së shtetit, persona që iu shërbenin atyre, duke shfrytëzuar kontaktet me politikanët. Bisedat e mëposhtme mes Pëllumb Gjokës, Behar Bajrit dhe Ardrit Hasanbegajt, i përkasin vitit 2020, kur Ilir Beqaj u caktua nga kryeministri Edi Rama, për të qenë koordinator politik i PS-së në qarkun e Shkodrës. Fillimisht Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri, angazhohen për të sabotuar takimet e Beqajt me shtabet elektorale në këtë qark, por më pas ata nisin që të lidhin kontaktet me të, për të emëruar të besuarit e tyre në poste të rëndësishme. Gjoka dhe Bajri, duket se kanë pushtet te një sërë drejtuesish të PS-së në Shkodër, por edhe te deputeti Luan Harusha, të cilëve iu ndalonin që të shkonin në takimet e shtabit, pasi sipas tyre Beqaj po i anashkalonte. Por pavarësisht planeve në muajin shtator 2020 për sabotimin e takimeve elektorale, Pëllumb Gjoka në muajin Tetor 2020 besohet se mban kontakte të afërta me Ilir Beqaj, duke ndërhyrë tek ky i fundit për të rregulluar në një vend më të mirë policin Ardrit Hasanbegaj, i cili aspironte të bëhej shef krimesh, zv/shef komisariati apo shef anti-korrupsioni në policinë e Tiranës Aspiratat e tij shkojnë dhe deri tek emërim si drejtor i Policisë së Shkodrës.
Sipas Pëllumb Gjokës në atë kohë Ilir Beqaj ishte zoti për Shkodrën dhe që mbaronte punë. Hasanbegaj shpreson që përmes lidhjeve që ka Pëllumb Gjoka në polici dhe mazhorancën qeverisëse, ai të transferohej nga Shkodra në policinë e Tiranës ose në një vend më të mirë./ZËRI