
TIRANË- Hyrja e një noteri në ambientet e paraburgimit në Durrës për të takuar ish-shefin e Operacionales në Policinë e Shtetit Oltion Bistrin ka ngjallur dyshime tek prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit të Organizuar. Takimi është zhvilluar në gusht të 2023, teksa Bistri ishte i izoluar në qeli. Më 3 gusht, Bistri ka bërë redaktimin e një prokure, nëpërmjet të cilit i ka dhënë tagër bashkëshortes së tij, që të menaxhonte pasuritë. Dhe kështu ndodhi! Vetëm dy javë më pas, në datën 21 Gusht, bashkëshortja, babai, mamaja dhe vëllai i ish-shefit të Operacionales Oltion Bistri kanë revokuar 5 akte noteriale për blerjen e disa apartamenteve dhe dyqaneve. Për revokimin e kësaj kontrate, gazetari Elton Qyno shkruan për "OraNews" se janë paguar 1 milion euro. Kështu ka nisur dyshimi tek hetuesit e SPAK se Bistri ka pasur frikë këto pasuri mund t'i sekuestroheshin. Ndaj, SPAK ka vendosur që të hapë hetim pasuror ndaj tij në bazë të ligjit “Antimafia”. Në verifikim nuk është vendosur vetëm Oltion Bistri, por edhe të gjithë familjarët e tij.