
TIRANË- Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare ka mbyllur sytë në moshën 88-vjeçare. Shkrimtari i madh u shua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mëngjesin e sotëm në orën 08:50. Ai ka lënë pas dhjetra vepra, kryesisht në prozë, por edhe në poezi dhe përkthime. Në 30 vitet e fundit, jeta e Kadaresë ishte e ndarë mes Francës dhe Shqipërisë. Ismail Kadare ishte burim frymëzimi dhe për kinematografinë e tij. Personazhet e skalitura mjeshtërisht nga ai në librat që shkroi, u bënë pjesë të filmave shqiptarë.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki". Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista "Pionieri" në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18-vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar “Frymëzime djaloshare”.
Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Më pas, pasuan romanet “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes.
Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane. “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër. Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”.
Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët.
Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajtoin temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.
Në vitin 1992, Kadare u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin "Man Booker Prize" i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj.
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet, në 2010-n, u nderua në Itali me çmimin Lerici Pea. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ai është shkrimtari i vetëm shqiptar që është kandiduar pesë për të fituar çmimin Nobel në Letërsi. Kadare la pas bashkëshorten e tij, shkrimtaren Helena Kadare, dhe dy vajzat, Gresa e Besiana./ZËRI