
TIRANË- 19 ton mish pule i infektuar me salmonelë është futur në Portin e Durrësit dhe është shpërndarë në marketet e restorantet e vendit tonë, për tu konsumuar më pas nga shqiptarët. OraNews raporton se sasia ka hyrë më 11 mars të këtij viti dhe është e importuar nga Brazili. Sipas procedurave standarde inspektorët e AKU në pikën doganore marrin mostrat e mishit të importuar, i dërgojnë për analizim dhe deri në daljen e rezultatit të analizave mishi duhet të qëndrojë i bllokuar.
Por, kjo gjë nuk ka ndodhur pasi pa pritur rezultatin e analizave, subjekti importues është lejuar ta hedhë të gjithë produktin ne treg për shitje. Pas daljes së analizave, që treguan se mishi ishte i infektuar me salmonelë, AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu, por siç bëhet me dije, është arritur të bllokohet vetëm 4 ton, ndërsa 15 ton rezulton të jetë shitur. Inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit ka refuzuar t’i vendosë ato në dispozicion. Tashmë, AKU bën me dije se ka bërë kallëzim në Prokurori për subjektin përkatës.