
TIRANË- Kompania ECO-ELB sh.a, me administrator Leli Kaja, e cila ka në menaxhim inceneratorin e Elbasanit, rezulton që në vitin 2023, të gjithë tenderët që ka kryer, t’i ketë pasur me flamuj të kuq, që do të thotë, ose kanë qenë tendera pa garë, ose me shkelje të tjera gjatë procesit të prokurimit. Bëhet fjalëe për tendera dhe procedura për blerje vegla pune, karburanti, veshje, materiale elektrike, etj. Kjo kompani është përgjegjëse për grumbullimin dhe dërgimin e mbetjeve pranë inceneratorit të Elbasanit, si dhe më pas energjinë e prodhuar ta shesë në treg.
Shoqëria ECO-ELB u krijua në fund të vitit 2021 dhe kishte si detyrë transferimin e impiantit të përpunimit të mbetetjeve nga koncensionari, pas vendosjes nën sekuestro konservative nga prokuroria të të gjithë aseteve të kompanisë “Albtek Energji”, që ishte mbajtëse e koncesionit. Bashkia e Elbasanit ka 52% të aksioneve të ECO- ELB dhe ka vendosur administrator. Kaja më parë ka qenë kryeinspektor i INUV, drejtor i ujësjellësit dhe në detyra të tjera në Bashkinë e Elbasanit, veçanërisht në kohën kur ajo drejtohej nga Qazim Sejdini.