
TIRANË- Shënohet votuesi i parë në diasporë. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat bëri me dije se vota e parë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit është "hedhur" në qarkun e Dibrës. I pari shqiptar, nga Dibra, i cili jeton në Gjermani ka marrë zarfin dhe e ka dërguar mbrapsht në Shqipëri.
Por nuk është i vetmi! Celibashi shtoi se deri më tani, kanë votuar 111 persona, zarfet e të cilëve janë tërhequr nga posta DHL. Deri më tani janë dërguar rreth 90 mijë zarfe, që përfaqësojnë mbi 36.3% të numrit të përgjithshëm të votuesve që janë regjistruar për të votuar. Numri më i madh i zarfeve është dërguar në Itali, Greqi dhe në Gjermani. Ndonëse 17 prilli ishte caktuar si afati fillestar i vendosur për shpërndarjen e fletëve të votimit, për emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit e që do të votojnë më 11 maj, kreu i KQZ thotë se ky afat mund të shtyhet, duke shtuar se ndryshimi i afateve nuk e rrezikon votën e diasporës. Në total janë 245,975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të ushtrojnë të drejtën e votës. Për herë të parë, emigrantët do të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj.