
DURRËS- Shefi i antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi, ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme, për t’u njohur me masën e sigurisë, dy ditë pas arrestimit në flagrancë, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali nate striptizmi pranë Urës së Dajlanit. Në dëshminë e tij, dhënë sot para Gjykatës, Preçi ka kërkuar lirinë me pretendimin se është babai i 3 fëmijëve të mitur. Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shumën e parave që pronari i lokalit kishte në zarf.
"Jam baba i tre fëmijëve të mitur, kërkoj një masë më të butë sigurie. Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lek brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar”, ka deklaruar Preçi.
/ZËRI