TIRANË- Kamerierët dhe recepsionistët duket se janë punonjësit më të ekspozuar ndaj konflikteve. Ndoshta kjo, për vetë faktin që janë kontakti i parë me klientin. Në vitin 2022, Ervin Selita, anëtari i grupit Hellbanianz që njihet dhe me emrin e artit Vinzi, u paraqit me të dashurën e tij në një nga hotelet në periferi të Tiranës. Fakti që recepsionisti kërkoi një mjet identifikimi për vajzën, e revoltoi Selitën, i cili nxorri armën e zjarrit dhe u konfliktua me punonjësin e hotelit de me një nga pronarët.
Rasti i dytë u shënua në Berat. Një grup të rinjsh rrahën kamerierin 16-vjeçar që punonte në një piceri. Sherri mes tyre kishte nisur në rrjetet sociale, por u pasua në vendin e tij të punës, ku siç duket nuk ishte aspak i sigurtë. I mituri përfundoi në spital.
Ditën e sotme në Tiranë u arrestua 19-vjeçari Hajri Pulaku. Ai së bashku me tre persona të tjerë, Denis Baxhaku, Ermand Hoxha e Teo Kolemiço, të cilët janë vënë në pranga, kanë marrë peng dhe kanë dhunuar një kamerier më 20 maj. Të rinjtë ishin menaxherë të kioskave në sheshin “Skënderbej” dhe dyshonin se kamerieri po i vidhte. Këtë pasdite është raportuar për një ngjarje akoma më të rëndë. Gerald Shehu, 43 vjeç, dhëndri i një prej bashkëpronarëve të hotelit “Greccia” në Dhërmi ka vrarë me armë zjarri recepsionistin Erald Nevruzi. Dyshja ishin shokë dhe po mendonin të bashkëpunonin në ngritjen e një biznesi, por janë konfliktuar. Shehu e ka marrë peng Nevruzin, më pas e ka torturuar dhe vrarë. 43-vjeçari mendohet se është larguar drejt Greqisë.
