
TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend u parapri nga tensione të shumta, ku rreth 20 deputetë të opozitës janë të përjashtuar nga Etika. Në pamundësi për t’u futur në Kuvend, një pjesë e tyre, me në krye Flamur Nokën hodhën miell në drejtim të punonjësve të Gardës.
Si rrallëherë, Lulzim Basha dhe deputetët e tij shkuan në Kuvend rreth një orë para nisjes së seancës. Me futjen në sallë të një pjese të deputetëve të opozitës, nuk munguan aktet e dhunshme, siç ishte dhe djegia e rregullores së Kuvendit nga ana e Edi Palokës. Ky i fundit sulmoi Lulzim Bashën, ndërsa paralajmëroi Ramën se do e priste i njëjti fat me diktatorin Enver Hoxha. Në mesin e tensioneve u kaluan një pjesë e mirë e projektligjeve që ishin pjesë e rendit të ditës, ndërsa u shty projektligji për rikthimin e basteve online.
Deputetët e opozitës nga ana tjetër fërshëllyen Lulzim Bashën, i cili u largua nga salla pas rrëzimit të propozimit të tij për të mbështetur financiarisht Kosovën për blerjen e armëve. Jashtë ambienteve të Kuvendit, deputetët e opozitës sulmuan me vezë makinën e Taulant Ballës dhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit Genci Gjonçaj.