
TIRANË- Tirana është tronditur nga një atentat me armë zjarri, ku katër presona, mes tyre dy të mitur mbetën të plagosur. Ngjarja u shënua rreth orës 21:30 në zonën e Lundrës, në periferi të kryeqytetit.
Autorët dyshohet se kanë ndjekur mjetin tip 'G Class', ku po udhëtonin Arens Stafa, 34 vjeç, Kian Mullaj, 19 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç. Këta të fundit janë djemtë e pronarit të kompanisë private “Pelikan Security”. Të katër po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11-vjeçarit në momentin që një motor ka nisur t’i sulmojë tek rrethrrotullimi i Shkozës. Më pas i ka ndjekur duke i qëlluar me breshëri plumbash në ecje. Të katërt ndodhen në spitalin e Traumës, por 11-vjeçari është në gjendje të rëndë.